Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mengjesin e ditës së sotme në aksin nacional Korçë-Pogradec, në afërsi të Maliqit, ku një automjet është përfshirë nga flakët gjatë kohës që ka qenë në ecje.
Sipas informacioneve të para, 2 persona kanë qenë brenda në mjet dhe kanë marrë lëndime. Bëhet me dije se drejtuesi i mjetit me targë “AA731CL” së bashku me pasagjerin kanë marrë djegie në trup si pasojë e zjarrit, pasi nuk kanë mundur të dalin në kohë nga makina. Siç shihet dhe nga pamjet e marra makina e përfshirë nga flakët ka dalë nga rruga.
Zjarrfikësit kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve dhe kanë dhënë ndihmën e parë për të lënduarit. Policia në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Maliq/Informacion paraprak
Më datë 01.09.2021, rreth orës 07:20, në fshatin Vloçisht, Maliq, ka rënë zjarr në një automjet në ecje, i cili sapo ishte furnizuar me lëndë djegëse (gas) në një karburant në afërsi të këtij fshati.
Për pasojë kanë pësuar djegie, drejtuesi dhe pasagjeri të cilët u dërguan për mjekim në Spitalin e Korçës.
Shërbimet e zjarrfikëses, kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.