Gazetarja dhe reporterja italiane Cecilia Sala ka ndarë për herë të parë detaje tronditëse mbi burgosjen e saj në Iran, ku u mbajt për 21 ditë nën akuza të paqarta dhe trajtime çnjerëzore.
Në një intervistë ekskluzive dhe në librin e saj “I figli dell’odio” (Fëmijët e urrejtjes), Sala përshkruan përvojën traumatike, rrezikun për jetën dhe forcën që e mbajti gjallë.
“Më lidhën sytë dhe më morën me vete. Në një moment më çuan në oborrin e burgut dhe më hoqën kapuçin: përballë meje, një vinç. ‘Ky është fati i spiunëve’, më thanë”, kujton ajo.
Qelia ku qëndroi ishte pa dyshek, pa dritë natyrale dhe pa asgjë për të lexuar. Ajo përjetoi atë që njihet si “tortura e bardhë”, një metodë që e thyen psikologjikisht përmes izolimit total, ndriçimit të pandërprerë dhe mungesës së çdo reference kohore.
“Drita nuk fikej kurrë. Nuk kishe ndjesi dite apo nate. Nuk të lejonin as syzet apo lentet. Çdo gjë ishte e menduar për të të thyer”, rrëfen Sala.
Në qelinë ngjitur, ajo dëgjonte një grua që përplaste kokën në derë, duke tentuar të vrasë veten nga dëshpërimi.
“Ishte një krismë që përsëritej, ajo përplaste kokën në derë. E tmerrshme”, kujton gazetarja.
Sala shpjegon se nuk u arrestua si gazetare, por si peng për pazare politike. Autoritetet iraniane kërkonin ta paraqisnin si spiune, për të bërë të mundur një shkëmbim me të burgosur iranianë jashtë vendit.
“Më kërkonin të pranoja që isha spiune. E dija që po ta bëja këtë, do përfundoja si të tjerët që kanë rrëfyer të pavërteta: vite pa fund në qelitë e vdekjes”, thotë ajo.
Shpëtimi i saj erdhi falë një operacioni të koordinuar nga autoritetet italiane, përfshirë shërbimet inteligjente dhe ndërhyrjen e kryeministres Giorgia Meloni.
“Ky libër i është dedikuar atyre që më kthyen në shtëpi dhe atyre që më besuan në vendet ku kam raportuar”, thekson Sala.
Në mes të izolimit, një moment i pazakontë ngrohtësie ishte kur një mace e vogël iu afrua në oborr dhe iu përkëdhel rreth këmbëve. Për të, ky ishte “i vetmi kontakt i gjallë dhe i dashur për ato ditë”. Pas kthimit në Itali, ajo ka adoptuar një mace me ngjyrë të kuqe, si ajo që pa në burgun Evin.
Edhe pse për momentin nuk mund të kthehet në Iran, gazetarja mbetet e bindur:
“Regjimi do të bjerë. Jo nesër, por do të ndodhë. Sepse ka humbur rininë e vet. Dhe unë, një ditë, do të kthehem.”