Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Chivas Regal” për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta. Në pranga ka rënë 44-vjeçari Haxhi Mykaj, pasi në makinën e tij u gjet dhe u sekuestrua një sasi prej 1 kg e 32 gramë kokainë dhe 39 thika. Policia bëri të mundur edhe sekuestrimin e automjetit, ndërsa materialet i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Chivas Regal” për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta.
Sekuestrohen 1 kg e 32 gram me lëndë narkotike kokainë, 39 thika dhe 1 automjet, vihet në pranga poseduesi i tyre.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në vijim të kontrolleve për rritjen e parametrave të sigurisë në qytet, si dhe për parandalimin e veprimtarisë së paligjshme të shpërndarjes së lëndëve narkotike, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Chivas Regal” në kuadër të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
-H.M., 44 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas u kap në flagrancë në rrugën “Azem Galica” Paskuqan, pasi gjatë kontrollit të automjetit me të cilin qarkullonte, sherbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi prej 1 kg e 32 gramë kokainë dhe 39 thika.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.