Për herë të parë, dy protesta që prej javësh zhvillohen të ndara në skaje të ndryshme të vendit do të bashkohen në një pikë të vetme: përpara Kuvendit. Nesër në orën 9:00, ndërsa brenda do të nisë seanca plenare, jashtë godinës pritet të mblidhen banorët e Baks Rrjollit në Velipojë dhe qytetarët që preken nga projekti TID në Durrës. Secili me hallin e vet, por me të njëjtën akuzë: prona po u merret.
Banorët e Rrjollit janë në protestë prej ditësh për një sipërfaqe rreth 1.46 milionë metra katrorë buzë detit,që u përket që nga viti 1936. Katër breza kanë jetuar mbi atë tokë. Ka familje që kanë investuar aty prej 25 vitesh. Sot, fadromat e Bashkim Ulajt po hyjnë për të ndërtuar një resort luksoz. Më 16 janar, Belinda Balluku ka firmosur lejen e ndërtimit për projektin. Banorët kanë depozituar kallëzim në SPAK dhe thonë se çështja është në proces gjyqësor. “Me firmën e Ballukut vidhen pronat tona!” është mesazhi që do të çojnë nesër para Parlamentit.
Nga ana tjetër, në Durrës, banorët që preken nga projekti TID po përballen me shpronësime të padrejta dhe me presion për të lëshuar pronat e tyre. Edhe ata flasin për mungesë transparence dhe për vendime që i prekin drejtpërdrejt, pa u pyetur. Prej kohësh kanë protestuar të ndarë, duke kërkuar të dëgjohen nga pushteti vendor dhe qendror.
Ajo që ndryshon këtë herë është fakti se këto dy grupe po dalin bashkë. Për herë të parë, protesta nuk është vetëm lokale. Nuk është vetëm Rrjolli. Nuk është vetëm Durrësi. Është një thirrje e përbashkët për pronën, për të drejtën për t’u dëgjuar, për të mos u lënë vetëm përballë projekteve të mëdha dhe interesave të forta.
Në Shqipëri, protestat janë shtypur një nga një. Nuk bashkohen. Thuajse asnjëherë nuk ka një komunitet që ngrihet për tjetrin. Në Baks Rrjoll, policia ka shoqëruar banorë në komisariat ndërsa ata mbronin tokën e tyre. Në protesta të tjera, tensionet janë shuar me kalimin e ditëve, derisa zëri është dobësuar.
Këtë herë ka një mundësi tjetër. Nesër, protesta nuk është vetëm për ata që kanë humbur tokën apo që rrezikojnë ta humbasin. Është për të gjithë ata që e kanë parë nga larg dhe kanë menduar se “nuk është problemi im”. Nëse nuk shkoni aty ku ndodh çdo protestë, të paktën shkoni aty ku po mblidhen të gjithë. Përpara Parlamentit. Shkoni dhe ankohuni. Shkoni dhe kërkoni llogari për të drejtat tuaja si qytetarë. Shkoni dhe qëndroni bashkë.
Çdo protestë e izoluar është më e lehtë për t’u shtypur. Çdo komunitet i lënë vetëm është më i dobët. Kur zërat bashkohen, mesazhi bëhet më i fortë. Nesër është momenti për të mos pritur që politika t’ju sjellë në protestë. Është momenti për të dalë vetë. Për të treguar se pronat, të drejtat dhe dinjiteti nuk mbrohen në heshtje.







