Ngushtica e Hormuzit, një nga arteriet më të rëndësishme të transportit global të energjisë, është mbyllur plotësisht nga Irani, duke detyruar cisternat e naftës të ndalojnë lëvizjen dhe të kthehen mbrapsht, ndërsa tensionet në rajon vijojnë të përshkallëzohen.
Televizioni shtetëror iranian “Press TV” raportoi se mbyllja e plotë e ngushticës ka shkaktuar reagim të menjëhershëm në trafikun detar. Sipas të dhënave të gjurmimit, cisterna e naftës “AUROURA”, që po i afrohej daljes së ngushticës, ka bërë një kthesë të menjëhershme 180 gradë pranë bregdetit të Musandamit, duke u rikthyer në brendësi të Gjirit.
Kjo manovër ndodhi në një nga pikat më të ndjeshme të kësaj rruge strategjike, mes ishullit Larak dhe gadishullit Musandam, zonë me rëndësi të jashtëzakonshme për rrjedhën globale të energjisë dhe balancat gjeopolitike.
Më herët, agjencia Fars News Agency raportoi se lëvizja e cisternave në këtë korridor jetik ishte ndalur, në të njëjtën kohë me sulmet e fundit vdekjeprurëse të Izraelit në Liban, të cilat janë cilësuar të papranueshme nga pala iraniane.
Sipas të njëjtit burim, pas arritjes së një armëpushimi të përkohshëm, Teherani kishte lejuar kalimin e sigurt të dy cisternave përmes ngushticës, por situata duket se ka ndryshuar sërish.
Në zhvillimet e fundit, Donald Trump deklaroi se ishte rënë dakord për një pezullim dyjavor të sulmeve ndaj Iranit, me kusht që Teherani të garantonte rihapjen e menjëhershme dhe të sigurt të Ngushticës së Hormuzit.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian Seyed Abbas Araghchi theksoi se Irani do të sigurojë kalim të sigurt gjatë periudhës së armëpushimit, në koordinim me forcat e armatosura, duke shtuar se operacionet “mbrojtëse” do të ndalen vetëm nëse ndalen sulmet ndaj vendit.








