Qeveria e Kosovës ka mbajtur të mërkurën mbledhjen e radhës, në të cilën janë marrë disa vendime. Sipas njoftimit në këtë mbledhje u miratua Projektligji për Agjencinë e Mbrojtjes për Inteligjencë dhe Siguri. Ky ligj përcakton misionin, organizimin, autorizimet dhe detyrat e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes e cila ushtron aktivitetet e saj brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës me qëllim të mbështetjes së Ministrisë së Mbrojtjes (MM) dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kundër kërcënimeve apo rreziqeve të mundshme për kryerjen e misionit të tyre kushtetues dhe ligjor.
Po ashtu, u miratua Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, KOSTT (Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut Sh. A.) dhe KfW, Frankfurt Am Main (“kfW”) për Projektin “Zhvillimi i Sektorit të Energjisë VII-Përmirësimi i Rrjetit të Transmetimit. Kjo marrëveshje parasheh huazimin e 25.5 milionë euro nga KfW, që më pas do të nën-huazohet tek KOSTT-I, për realizimin e projektit i cili ka për qëllim përmirësimin e sistemit të transmetimit në Kosovë.
U miratua edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për Projektin e Ngrohtores Solare të Prishtinës, në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Kjo marrëveshje do të shërbejë për të siguruar kapacitete shtesë të energjisë termike dhe për zgjerimin e rrjetit të ngrohtores së qytetit të Prishtinës. Vlera e huazimit është 23.2 milionë euro.
U emërua Komisioni ad-hoc, Përzgjedhës për rekomandimin e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës pas dorëheqjeve të dy anëtarëve të këtij Komisioni. U emërua Komisioni ad-hoc, Përzgjedhës për rekomandimin e një (1) anëtari në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit
E emërua Bordi i Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike N. P. H. Infra Kos, Sh. A. me këtë përbërje: Edona Nahi, kryesuese, Genc Hundozi, anëtar, Besart Zuka, anëtare; dhe Fitim Rraci, anëtar. U përditësua Lista e Mallrave me Përdorim të Dyfishtë, duke iu referuar Listës së Bashkimit Evropian, për mallrat që vihen nën kontroll për shkaqe të sigurisë kombëtare, politikes së jashtme, sigurisë publike ose për arsye të të drejtave të njeriut.
U ndryshua dhe plotësua Vendimin e Qeverisë Nr. 03/78, të datës 16 maj 2022, për vendosjen e masave kufizuese kundër Grupit Wagner. Sipas ndryshimit dhe plotësimit, Qeveria e Republikës së Kosovës zbaton sanksionet kundër Grupit Wagner, të vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Janë ndarë mjetet buxhetore për këtë vit në shumën prej 305,710 euro për mbështetje financiare për Gazetarët Ukrainas dhe Afgan, të strehuar në Kosovë. Është aprovuar raporti i Vlerësimit të Përshtatshmërisë së Sistemit të Financimit të Komunave për vitin 2022. Ky raport paraqet rezultatet e vlerësimit dhe sfidat kryesore të identifikuara nga Komisioni i Granteve mbi përshtatshmërinë e Sistemit të Financimit të Komunave për vitin 2022. Gjithashtu ofron rekomandime për përmirësimin e mëtutjeshëm në sistemin e tanishëm të financimit komunal.
Është aprovuar edhe Raporti Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2022. Sipas raportit gjithsej të hyra gjatë vitit 2022 janë regjistruar në shumën prej 2 miliardë e 628 milion e 973 mijë euro, që janë për 6% më shumë se në vitin paraprak, ndërsa shpenzimet gjatë këtij viti kapin shumën prej 2 miliard e 625 milion e 8 mijë euro që janë për 10% më të larta se vitin paraprak. Ky raport prezanton ekzekutimin e buxhetit nga institucionet e Republikës së Kosovës për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2022, sipas ndarjeve vjetore të Ligjit të Buxhetit.
U ndanë mjetet buxhetore për zbatimin e pikës 1.1 të Vendimit Nr.31/99 të datës 30.09.2022, i plotësuar dhe ndryshuar, në kuadër të Masës 3.7 – Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike të Pakos së Ringjalljes Ekonomike. Me këtë vendim për këtë qëllim janë ndarë 6 milion euro. Është mirtuar vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish shoqërore të cilat preken nga realizimi i Projektit: “Ndërtimi i Ndërtesës Administrative” për nevoja të Administratës Tatimore të Kosovës dhe Doganave të Kosovës, Zona Kadastrale Prishtinë, Komuna e Prishtinë.
Është miratuar edhe vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik i dhe plotësimit nga realizimi i Projektit: Zgjerimi i Kompleksit Sportiv “Qendra Nacionale e Xhudos” Zona Kadastrale Pejë, Komuna e Pejës. Sportistët xhudistë të Kosovës meritojnë një ambient shumë më të mirë për aktivitetin e tyre, që të vazhdojnë me përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Andaj, për këtë qëllim Qeveria, me miratimin e këtij vendimi për shpronësim, i hap rrugë realizimit të projektit për Qendrën Nacionale të Xhudos në Kosovë.
U miratua vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik i pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i Projektit: Zgjerimi i Rrugës Nacionale N25, Prishtinë-Podujevë, Zonat Kadastrale: Bërnicë e Epërme, Bardhosh, Lebanë, Trudë, Prugovc, Besi, Vranidoll dhe Teneshdoll, Komuna e Prishtinës dhe Zonat Kadastrale: Lupq i Poshtëm, Shakovicë, Llugë, Lluzhan, Penuhë, Sibovc i Epërm, Konushevc, Gllamnik, Llapashticë e Poshtme dhe Podujevë të Komunës së Podujevës. Rruga nacionale Prishtinë-Podujevë është prioritetet i Qeverisë, dhe e njëjta është në ndërtim e sipër. Me qëllim të realizimit të drejtave të pronarëve të pronave, pas përfundimit të elaboratit të shpronësimit, Qeveria me miratimin e këtij vendimi fillon procedurën e shpronësimit të pronave që preken nga ndërtimi i kësaj rruge për 18 zona kadastrale të Komunës së Prishtinës dhe Podujevës.
U miratua vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i Projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK-Sh. A), Zonat Kadastrale: Shipitullë, Leshkoshiq dhe Sibovc, Komuna Obiliq. Me miratimin e këtij vendimi, i mundësohet Korporatës Energjetike të Kosovës, të përfundoj Projektin për Zgjerimin e Mihjes Sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit me qëllim të prodhimit të energjisë elektrike.
U miratua vendimi për të kërkuar nga Presidentja e vendit dhënien e autorizimit të ministres së MINT për nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet BE-së dhe Kosovës për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Tregut Unik. Kjo Marrëveshje është e një rëndësie të veçantë, pasi që Kosova merr pjesë në Programin e Tregut Unik në përputhje me kushtet e përcaktuara në Marrëveshjen Kornizë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Objektivat e Programit të Tregut Unik janë përmirësimi i funksionimit të tregut të brendshëm, dhe veçanërisht për të mbrojtur e fuqizuar qytetarët, konsumatorët dhe bizneset.
U miratua vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë Nr01/64 të datës 25 shkurt 2022, për zbatimin nga Republika e Kosovës të vendimeve të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Truse dhe Bjellorusisë, në raport me situatën në Ukrainë. Vendimi ka për synim harmonizimin e veprimeve dhe masave nga Republika e Kosovës në përputhje edhe me aktet e miratuara nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-të për sanksionet ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë. U miratua Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Bashkëfinancimin e Bursave të Arsimit të Lartë në nivel të studimeve Master, ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit me Ambasadën e Francës në Prishtinë.
Si dhe në fund, u miratua vendimi për themelimin e Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit me seli në Mitrovicë, i cili është duke funksionuar dy dekada me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Ky propozim vendim vjen bazuar në një analizë të Grupit Punues, i përbërë nga përfaqësues të Qeverisë, Zyra e BE-së në Kosovë dhe përfaqësues të IBCM, e i kryesuar nga MAShTI. Grupi punues ka shqyrtuar me kujdes të gjitha aspektet e një zgjidhjeje të ardhshme të qëndrueshme për IBCM, dhe ka ardhur me propozimin për themelimin e kolegjit të parë publik.