Shtetasi Dejvid Karaboja, 29-vjeç nga qyteti i Durrësit, është arrestuar nga policia ditën e sotme. Kjo pasi gjatë kontrollit në çantën e tij, janë gjetur një sasi dozash me lëndë narkotike, heroinë dhe kokainë. Gjithashtu, i është gjetur edhe një shumë parash, të cilat dyshohet se i përfituar nga shitja e lëndëve narkotike.
Arrestimi i shtetasit u bë në lagjen numër 7 të qytetit të Durrësit. Kontrollet e makinave, por dhe individëve në rrugë, janë shtuar ndjeshëm ditët e fundit dhe arrestimet, janë të shumta ditë pas dite.
Njoftimi i Policisë së Durrësit:
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtetasin D. K., 29 vjeç, banues në Durrës.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës e kanë ndaluar atë në lagjen nr. 7, Durrës dhe gjatë kontrollit fizik, në çantën e dorës iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi dozash me lëndë narkotike heroinë dhe kokainë, si dhe një shumë parash, të cilat dyshohet se ky shtetas i ka përfituar nga shitja e lëndës narkotike”, shkruhej në njoftimin e policisë.