Bëni kujdes miq! Qeveria ka vendosur të mos u japë ndihma financiare por gjoba të reja shqiptarëve në kuadër të pandemisë së koronavirusit.
Nga nesër hyn në fuqi vendimi që maskat duhen mbajtur me detyrim edhe në ambiente të hapura.
Mbrëmjen e sotme është publikuar edhe një nga modelet e fletë-gjobës që do të përdoret nga policia vetëm për personat që nuk mbajnë maskat.
Nuk dihet nëse Policia e Shtetit dhe ajo Bashkiake, do të nisin prej ditës së nesërme aplikimin e gjobave në rastet e shkeljes, apo do të mjaftohen me këshillime. Gjithsesi nuk është çudi që me urdhër policia të vendosë gjobat që ditën e parë dhe pas 1 jave të dalë Kryeministri dhe t’i falë ato, si për të treguar zemërgjerësinë e tij.
Kjo gjë ka ndodhur me gjobat që aplikoi gjatë karantinës, të cilat vendosi t’i falë një ditë të bukur, edhe pse për muaj me radhë kërcënonte nga rrjetet sociale ata që shkelnin rregullat.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, që është dhe hartuesja e këtij projekti, deklaroi të mërkurën se shqiptarët do të detyrohen të mbajnë maskë në mjedise të hapura ndërsa përmendi një numër të kufizuar rastesh kur maska nuk është e detyrueshme, si kur bën aktivitet sportiv, kur po i jep biçikletës apo motoçikletës i vetëm apo kur po lahesh në pishinë, liqen apo det.
Personat që për arsye shëndetësore nuk janë në gjendje të mbajnë maskë, duhet të pajisen me një vërtetim të kësaj gjendjeje nga mjeku i familjes. Maskat lejohet të hiqen vetëm kur një polic apo një punonjës banke kërkon të të identifikojë, apo në rastet kur shitësi do të verifikojë vizualisht moshën e klientit që po blen mallra të ndaluar për t’u treguar për minorenët.
Masat e reja vijnë në një kohë kur numri i personave të prekur në vend po rritet në mënyrë të vazhdueshme dhe numri i rasteve aktive të njohura ka arritur në 5,600 vetë. Deri më sot 429 shqiptarë kanë humbur jetën nga sëmundja COVID-19. Gjatë ditës së sotme pati numër rekord të infektuarish me mbi 200 persona.
/GazetaReforma.com/