Periudha e pandemisë së koronavirusit, ka futur të gjithë shqiptarët në vështirësi, ku bashkë me rrezikun për shëndetin, u ka rritur njëkohësisht edhe kostot e jetesës, por dhe reduktuar mundësitë për të punuar.
Por kjo periudhë ka qenë e “artë” për ministrat e qeverisë “Rama”, të cilët kanë “shpërthyer” nga tenderët.
I tillë është edhe ai më i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë, e cila ka nisur procedurat për një tender të dytë “sekret”, për maska dhe materiale mbrojtëse sanitare anti-covid, pas atij që zhvilloi në Prill 2020.
Edhe pse tenderat “sekretë” të zhvilluar nga institucioni i drejtuar nga Ogerta Manastirliu janë tashmë objekt i Prokurorisë Speciale “SPAK”, Ministria e Shëndetësisë, duket e vendosur të vijojë me të njëjtat procedura të dyshimta, raporton sot “Boldnews.al”.
Tenderi
Siç citohet nga “Boldnews.al”, tenderi që po përgatitet së fundi, ka një vlerë prej rreth 5.9 miliardë lekë të reja, ose rreth 5 milionë euro, një shifër thuajse dyfish më e lartë se sa fondi për procedurën e parë “sekrete” për blerjen e maskave anti-Covid.
Burimet kanë thënë se, ky tender ishte parashikuar të zhvillohej në 18 Shtator, por zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë kanë vendosur ta shtyjnë për disa ditë.
Shkak për shtyrjen është bërë vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë, vetëm dy ditë më parë zhvillimit të tenderit, konkretisht në 16 Shtator, për të ndryshuar disa nga specifikimet teknike, lëvizje e cila krijon dyshime për orientimin e procedurës drejt një fituesi të paracaktuar.
Dyshimet janë se, “fituesi i paracaktuar” mund të jetë e njëjta kompani që ka marrë tenderët më të mëdhenj të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë gjatë periudhës së pandemisë.
Hetim ndërkombëtar për maskat
Më herët, “GazetaReforma.com” botoi një shkrim mbi nisjen e një hetimi ndërkombëtar për maska në Itali ndaj një kompanie të huaj, që dyshohet se përvetësoi mbi 5 milionë euro përfshin edhe prokurorinë shqiptare.
Në informacionin sekret të përcjellë Prokurorisë shqiptare nga homologët italianë, theksohet se, “një kompani me seli në Tiranë me aksioner në masën 70% shtetasin Vincenso Nuzielo dhe me 30%, një shtetase shqiptare me emrin Mirela Ndoci, gjenden në listën e shoqërive që u përfshinë në skemën globale të mashtrimit gjatë pandemisë.
Burimet pohojnë ekskluzivisht se, në këtë dokument përmendet se shoqëria “Bio Life SRL”, ka dyshime se përfitoi vetëm në datat 30 dhe 31 mars 2020 shumën e rreth 5 milionë eurove nga rajoni i Lazios, si pagesa për pajisje anti-Covid.
Por më vonë kjo shumë u transferua dhe u tjetërsua drejt shoqërive të ndryshme jashtë Italisë, ku një pjesë e tyre i është përcjellë kompanisë “Frog” në Tiranë ndërsa ngarkesa e porositur nuk mbërriti asnjëherë.
Hetimi për maskat fantazmë nisi në Romë dhe përfshiu disa vende, ndërkohë që deri tani, raportohet se, përmes kësaj skeme u futën në lojë edhe kompani të tjera transfertat e të cilave dyshohet se janë postuar në vende të ndryshme.
Por ishte ardhja e një letër-porosie të mbërritur nga pala italiane, ajo që vuri në lëvizje dhe detyroi të “zgjohej” Prokurorinë shqiptare, e cila vetëm dy ditë më parë ka nisur zyrtarisht hetimet për kompaninë “Frog”, për tenderin e blerjes së maskave anti-Covid.
Dyshohet se një pjesë parave të tenderit të maskave në Itali, me vlerë 4 milionë e 960 mijë euro, kanë mbërritur në Shqipëri. Këto para janë marrë nga kompania “Frog” në Tiranë.
Hetimet kanë nisur ndaj kompanisë farmaceotike “Frog”, aksionerë të së cilës janë italiani Vincenzo Nuzziello dhe partnerja e tij shqiptare në biznes, Mirela Ndoci.
Italianët, kërkojnë nga prokuroria shqiptare të verifikohet kjo kompani, pasi dyshohet si pjesë e skemës mashtruese me tenderin e maskave anti-Covid-19 në Itali.
Nga hetimet është zbuluar se kompania “Frog”, është pritëse e disa transaksioneve bankare nga Italia, sa i përket tenderit të maskave në rajonin e Lazios, me vlerë 4 milion e 960 mijë euro.
Dyshohet se një pjesë e këtyre parave kanë mbërritur dhe në Shqipëri, të cilat janë marrë nga kompania “Frog” në Tiranë.
/Burimi: Boldnews.al/ Përshtati: GazetaReforma.com/