Tri persona kanë rënë në prangat e policisë së Durrësit, pasi kanë mashtruar përmes letrave falso turistët dhe u merrnin para. Të arrestuarit janë B. M., 28 vjeç, A. Xh., 19 vjeç banues në Shijak dhe K. D., 19 vjeç, banues në Skrapar, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, organizonin lojëra me letra me turistët dhe përfitonin para prej tyre nëpërmjet mashtrimit.
Njoftimi i Policisë:
Mashtronin turistët nëpërmjet lojërave me letra, duke iu marrë shuma të ndryshme parash, bien në prangat e Policisë 3 shtetas. Gjatë kontrollit fizik, njërit prej të arrestuarve iu gjet dhe sekuestrua një sasi lënde narkotike cannabis sativa.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e krimeve që ndodhin kryesisht gjatë sezonit turistik, kanë vijuar kontrollet përgjatë vijës bregdetare dhe në stacionet e autobusëve ku zbresin turistët.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë kapën dhe arrestuan në flagrancë duke mashtruar një shtetas kosovar, shtetasit:
B.M., 28 vjeç, A. Xh., 19 vjeç banues në Shijak dhe K. D., 19 vjeç, banues në Skrapar.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, organizonin lojëra me letra me turistët dhe përfitonin para prej tyre nëpërmjet mashtrimit. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit A. Xh. iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike cannabis sativa.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Mashtrimi” kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.