Emisioni “Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së mërkurës një rast që ka ngritur shumë pikëpyetje mbi mënyrën si po zbatohen ligjet dhe vendimet për faljen e gjobave të Policisë së Shtetit gjatë 10 viteve të fundit. Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, një VKM e datës 9 maj 2025 u interpretua nga shumë qytetarë si një amnisti për të gjitha gjobat e vendosura nga viti 2015 deri në fund të nëntorit 2024. Në të përmendej falja e gjobave për ndërtimet pa leje, gjobave në sektorin e bujqësisë, si dhe gjobave të vendosura nga Policia e Shtetit dhe ajo Bashkiake.
Pas këtij vendimi, shumë qytetarë u drejtuan në komisariate për të kërkuar heqjen e gjobave nga sistemi. Por atje u informuan se janë falur vetëm gjobat e vendosura gjatë periudhës së pandemisë COVID-19. Ky interpretim i kufizuar i VKM-së shkaktoi reagime dhe ankesa të shumta, mes tyre edhe një qytetare që denoncoi për “Fiks Fare” se pavarësisht se kishte 10 gjoba të papaguara nga viti 2024, i ishte bllokuar leja e qarkullimit e makinës. “Në vendim shkruhet se falen të gjitha gjobat e makinave për shkelje të ndryshme, por më thonë që janë falur vetëm gjobat e COVID-it. Kjo është absurde”, u shpreh ajo.
Gazetarët e emisionit investigativ shkuan fillimisht te Policia Rrugore e Tiranës, ku punonjësit konfirmuan se janë të autorizuar të falin vetëm gjobat e vendosura gjatë periudhës së pandemisë, bazuar në një shkresë të drejtorisë vendore. I njëjti version u dha edhe në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës, ku një tjetër punonjës u shpreh se nuk kanë kompetencë të falin gjoba të tjera, përveç atyre që lidhen me kufizimet e vendosura në kuadër të COVID-19.
Fiksi analizoi VKM-në e 9 majit 2025 dhe ligjin nr.127/2024, ku në nenin 1 përmenden qartë se falen masat administrative të vendosura nga institucione të ndryshme, përfshirë Policinë e Shtetit. Por në nenin 2, saktësohet se përfitues janë vetëm ata që kanë ndërtuar për qëllime banimi apo blegtorale dhe individët që kanë thyer rregullat e vendosura gjatë pandemisë. Në pikën 5 të VKM-së parashikohet që Drejtoritë Vendore të Policisë të përgatisin brenda 30 ditëve listat e përfituesve dhe t’i dërgojnë për miratim në Policinë e Shtetit. Megjithatë, asnjë drejtues i lartë institucional nuk ka dalë publikisht për të sqaruar interpretimin përfundimtar të këtij vendimi.
Edhe pse mediat i dhanë jehonë menjëherë vendimit të faljes, mungesa e një komunikimi zyrtar nga qeveria, ministritë përkatëse apo Policia e Shtetit, ka lënë qytetarët të paqartë dhe të zhgënjyer. Për më tepër, edhe opozita, përmes një reagimi të Partisë Demokratike, akuzoi qeverinë për përdorimin e këtij vendimi në funksion elektoral, por pa sqaruar nëse përfshihen të gjitha gjobat apo vetëm ato të pandemisë.
Në fund, ky është një rast ku ligji ekziston, por zbatimi i tij është i paqartë dhe lë hapësirë për interpretime të ndryshme. Qytetarët mbeten në pritje të një sqarimi të plotë institucional, ndërsa për momentin, përfitues nga falja e gjobave rezultojnë vetëm ata që janë gjobitur gjatë pandemisë COVID-19.