Partia Demokratike ka kërkuar një mocion me debat në Konferencën e Kryetarëve lidhur me raportin e OLAF për abuzimet me fondet e BE-së në Shqipëri. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, theksoi se një komision i posaçëm në koordinim me BE-në është i nevojshëm për të adresuar çdo problem dhe për të zhbllokuar fondet nga BE. Megjithatë, Konferenca e Kryetarëve e rrëzoi kërkesën e PD-së.
Debati në Konferencën e Kryetarëve:
Gazment Bardhi kërkoi që Kuvendi të analizojë gjetjet e OLAF dhe të marrë masa për zhbllokimin e fondeve të BE-së:
“Kuvendi të analizojë gjetjet e OLAF, se çfarë nuk ka shkuar me fondet e BE dhe të marr çdo masë që mundësojmë zhbllokimin e fondeve nga BE. Prandaj edhe kërkesa për debat dhe rezoluta janë në këtë linjë. Gjithashtu kërkojmë që nëpërmjet një komisioni të posaçëm në koordinim edhe me BE të adresojmë çdo problem,” tha Bardhi.
Ish-ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, argumentoi se raporti i OLAF nuk është ende zyrtar dhe se një hetim është në vazhdim:
“Nuk jemi kundër, por mendojmë se nuk është koha e duhur. Për disa arsye, duke nisur nga fakti se raporti i OLAF, nuk është zyrtar dhe është ende konfidencial. Dhe po ashtu ka një hetim të organeve të drejtësisë. Kërkoi mirëkuptim dhe nuk jam kundër, por ta bëjmë në vjeshtë kur dhe raportet t’i kemi zyrtare,” tha Çuçi.
Bardhi kundërshtoi, duke thënë se raporti është publik dhe i disponueshëm në faqen e Komisionit Europian:
“Kërkesa jonë nuk bazohet në thashetheme. Më vjen keq që kolegu Çuçi nuk e paska si informacion, por raporti i OLAF është publik në faqen e Komisionit Europian. Nuk janë thashetheme por përmbledhja zyrtare që OLAF ka bërë mbi hetimin për rastet e abuzimeve me fondet e BE. Raporti i është vënë në dispozicion autoriteteve ekzekutive shqiptare por edhe drejtësisë,” tha Bardhi.
Pas verifikimeve nga Gazeta Reforma, rezultoi se raporti i OLAF është publik në faqen zyrtare të Komisionit Europian. Gjithsesi, edhe sikur të mos ishte, nuk është arsye për të bllokuar komisionet hetimore dhe mocionet, ashtu siç kanë bërë për rastet e tjera si për Xibrakën apo rastin e ish-ministres Olta Xhaçka.
Rastet e mëparshme të bllokimit të hetimeve nga mazhoranca:
Mazhoranca ka bllokuar vazhdimisht hetimet dhe komisionet hetimore, duke përfshirë rastet e mëparshme si mandati i ish-ministres Olta Xhaçka dhe abuzimet me fondet e BE-së. Edhe ish-ministrja Frida Krifca pritet t’i bashkohet shokëve të partisë në SPAK për abuzimet e saj, ndërsa mazhoranca vazhdon të mbrojë këto figura politike, që ‘vjedhin dardha pas shpine’.
Raste të Bllokimit të Mocioneve dhe Komisioneve Hetimore nga Mazhoranca
- Komisioni Hetimor për sistemimin TIMS
- Opozita kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor për të hetuar çështjen e sistemit TIMS (Sistemi i Menaxhimit të Informacionit të Policisë). Kërkesa u bllokua për shumë kohë nga mazhoranca duke argumentuar se hetimi i brendshëm i Ministrisë së Brendshme ishte i mjaftueshëm, por iu dha e drejta opozitës e tashmë është ngritur
- Komisioni Hetimor për Sterilizimin
- Një tjetër komision hetimor i kërkuar nga opozita ka qenë për të hetuar procedurat dhe kontratat e sterilizimit në sistemin shëndetësor shqiptar. Edhe ky komision fillimisht është bllokuar nga mazhoranca duke e cilësuar si të panevojshëm dhe të politizuar, por filloi punimet më vonë.
- Rasti i Xibrakës
- Në rastin e fabrikës së drogës në Xibrakë, opozita ka kërkuar një debat dhe hetim të thellë. Mazhoranca e ka refuzuar kërkesën duke pretenduar se çështja është në hetim nga organet e drejtësisë dhe se ndërhyrja politike do të ishte e dëmshme. Kujtojmë se në këtë rast është i dyshuar si i përfshirë vëllai i kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama.
- Mandati i Ish-Ministres Olta Xhaçka
- Opozita ka kërkuar hetim dhe debat për mandatin e ish-ministres Olta Xhaçka lidhur me akuzat për konflikt interesi p♪7r shpalljen e burrit të saj investitor strategjik dhe privatizimin e bregdetit.
- Komisioni Hetimor për Fondet e BE-së
- Në rastin e fundit, opozita ka kërkuar debat dhe komision hetimor për raportin e OLAF mbi abuzimet me fondet e BE-së. Megjithëse raporti është publik në faqen e Komisionit Europian, mazhoranca ka refuzuar kërkesën, duke pretenduar se raporti nuk është zyrtar dhe se hetimet janë ende në proces nga organet e drejtësisë.