Zëdhënësja e Partisë Demokratike Ina Zhupa, ka denoncuar një krim mjedisor në zonën e Kodrës së Yzberishtit në Tiranë.
Zhupa ka akuzuar Veliajn, se inertet e Teatrit Kombëtar, po i dërgon në kodrat e Yzberishtit, tek kompania e Irgent Myftarajt.
Në një status në Facebook ajo shkruan se Veliaj premtoi se do të transformonte kodrën e Yzberishtit në zonë turistike, por hodhi aty rrënojat e një monumenti kulturor europian.
Postimi i plotë
Veliaj zhduk krimin e shëmbjes së Teatrit Kombëtar me një krim tjetër mjedisor duke hedhur inertet në zonën e Kodrës së Yzberishtit! Admistratori Irgent Myftaraj i bën qokën kryebetonierit, duke shkaterruar mjedisin e zonës. Pasi pastroi me kompani private kundra ligjit, pa u kuptuar si u paguan dhe pse e bënë, ndërkohe që ishte kompetencë e IMT, Tiranë. Tashmë inertet e Teatrit Kombetar hidhen në kodrat e Yzberishtit në mjedis të gjelbër me miratimin e shërbyesit të rradhës administratorit Irgent Myftaraj, i cili se ka problem fare që të shkatërroi mjedisin e zonës, për të bërë qokën e kryebetonierit Veliaj që do të zhduki sa me shpejt Teatrin. Erdhi duke premtuar se do e transformonte atë në një zonë turistike, por ndoshta e kishte që do i hidhte aty rrënojat e një momumenti kulturor europian!
Kujtojmë se disa ditë më parë, Zhupa ka akuzuar Veliajn se kamionët që po pastrojnë inertet e mbetura në sheshin e Teatrit Kombëtar janë të dy kompanivë ndërtimi private, me emrin “ARB & Trans 2010” sh.p.k dhe “M.C Inerte sh.p.k.”
Administratori i një prej kompanive që po punon në emër të Bashkisë Tiranë “ARB & Trans 2010”, është Fatmir Firi, një prej biznesmenëve të cilët ranë në pranga për 30 mln euro evazion fiskal, në kuadër të operacionit “Informaliteti”, në muajin shtator të vitit 2019.
Ndërsa kompania “Mc Inerte” sh.p.k., është një prej ndërtuesve në Tiranë, që ka bërë komplekse të mëdha, një prej tyre është edhe “Green City”.