Që në momentin kur emri i Marta Kos u lidh me Shqipërinë, u bë e qartë se kjo figurë nuk do të mbetej neutrale. Jo sepse është komisionere e Zgjerimit, por sepse mënyra si ndërhyn në çështjet tona të brendshme ka pasoja reale për vendin.
Kjo u bë akoma më e dukshme pasi portali Politico zbardhi historinë e saj të dyshimtë në kompaninë lobuese Kreab, ku Kos ka punuar si këshilltare e lartë. Politico thekson se roli i saj është i paqartë, klientët që ajo ka këshilluar nuk bëhen publikë dhe vetë kompania shmang transparencën.
Kos nuk është e regjistruar si lobiste, megjithatë ka punuar në një firmë që merret pikërisht me influencim politik. Dhe për ironi, ajo deklaron se do të largohet nga Kreab vetëm pasi të jetë zyrtarisht pjesë e listës së komisionerëve, duke e lënë të hapur konfliktin e interesit deri në sekondën e fundit.
Në vend që të tregonte kujdes, ajo zgjodhi të vinte në Tiranë dhe të deklaronte publikisht, krah kryeministrit shqiptar, se zgjedhjet e 11 majit kanë qenë të lira dhe të ndershme. Këtu është pikërisht momenti ku shqiptarët u ndjenë të fyer. Sepse kjo deklaratë është tallje me qytetarët që panë pabarazitë e procesit, që dëgjuan raportet e OSBE-ODIHR, që lexuan konstatimet për përdorimin e administratës, blerjen e votave, presionet dhe ndërhyrjen e rrjeteve politike.
Nuk kaloi shumë dhe Komisioni Europian u distancua nga ajo, duke bërë të qartë se qëndrimi zyrtar është ai i Progresraportit, ku zgjedhjet përshkruhen si të pabarabarta dhe problematike. Pra BE thotë një gjë, ndërsa komisionerja e Zgjerimit thotë një tjetër. Dhe këtë e bën pikërisht në Tiranë, përballë kryeministrit që kishte interes të dëgjonte një deklaratë të tillë.
Ndërkohë, më vonë gjatë vizitës së saj në Shqipëri, Kos u pa në një darkë zyrtare me kryeministrin. Jo një takim protokollar disa minutësh, por një takim i gjatë, në një ditë politike të tensionuar për qeverinë, kur Rama kaloi 7 orë të mira i ngujuar në zyrë me Ballukun, për hallin e përbashkët, SPAK.
Ndërsa vendi ishte nën presionin e ngjarjeve të rënda politike dhe hetimeve, Marta Kos preferoi afrimin me kryeministrin në vend që të mbante distancën e nevojshme që kërkon roli i saj. Shfaqja kaq pranë pushtetit në momente të tilla i shton dyshimet mbi predispozitat dhe motivet e saj.
Komisionerja e Zgjerimit nuk duhet të jetë palë. Nuk duhet të artikulojë qëndrime të cilat bien ndesh me institucionin që përfaqëson. Nuk duhet të relativizojë shkelje zgjedhore në një vend që ka vuajtur më shumë se mjaft nga mungesa e standardeve demokratike.
Problem është dëmi që ajo i shkakton besimit të shqiptarëve tek Europa. Sepse kur një zyrtare e BE-së vjen dhe thotë të kundërtën e raporteve zyrtare, kur mbyll sytë para abuzimeve dhe u jep mbështetje të heshtur atyre që mbajnë pushtetin me çdo mjet, ajo gërryen themelet e integrimit. E bën procesin të duket i padrejtë, i njëanshëm dhe i orientuar nga interesa personale e politike, jo nga parimet europiane.
Shqiptarët e kanë pritur Europën si garanci të standardeve dhe si shpresë për një të ardhme më të drejtë. Por figurat si Marta Kos e dëmtojnë këtë besim. E bëjnë Europën të duket hipokrite. E bëjnë popullin shqiptar të ndihet i përçmuar. Dhe e kthejnë vizitën e një zyrtareje të lartë në një akt politik që nuk i shërben askujt përveç atyre që kërkojnë të justifikojnë shkeljet.
Marta Kos mund të jetë komisionere në letra, por sjellja e saj në Shqipëri nuk ka qenë sjellje europiane. Ajo ka humbur besimin e publikut në një moment kur vendi ka nevojë për aleatë, jo për zyrtarë që flasin sipas qejfit dhe minojnë standardet europiane me një buzëqeshje diplomatike.







