Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka inspektuar ditën e sotme një nga 29 qendrat shëndetësore verore të cilat janë hapur për pushuesit përgjatë zonave turistike. Nga qendra shëndetësore në Durrës, Manastirliu ka thënë se kanë qenë më shumë se 4 mijë pushues të huaj që kanë marrë shërbime falas në këto qendra shëndetësore.
“Nga 15 qershori deri më sot janë më shumë se 14 mijë vizita dhe shërbime që janë ofruar për pushuesit vendas dhe të huaj. Janë më shumë se 10 mijë pushuesit vendas që kanë marrë shërbime në këto qendra shëndetësore verore, ndërkohë që më shumë se 4 mijë janë pushues të huaj, turistë, të cilët kanë ardhur dhe kanë marrë shërbime falas në këto qendra”, bëri me dije Manastirliu.
Gjithashtu më tej ministrja e Shëndetësisë është shprehur se programi i qendrave shëndetësore verore, ka lehtësuar shumë punën në spitale.
“Ky program, tashmë funksional prej 7 vitesh, ka lehtësuar shumë punën në spitale. Sepse gjithë ky fluks i madh pacientësh që kanë marrë shërbim, nuk janë drejtuar dyerve të spitaleve, por i kanë marrë këto shërbime pranë zonave të pushimit. Qendrat shëndetësore verorë janë rritur në numër vit pas viti, duke mbuluar me shërbim dhe ato zona të pambuluara më parë”, tha Manastirliu.
Manastirliu gjatë inspektimit në qendrën shëndetësore verore në Durrës,është shprehur se fokusi është tek vijimi i vaksinimit. Gjithashtu ajo ka theksuar edhe një herë se vaksinimi i hapur për personat mbi 18-vjeç vazhdon të jetë i hapur deri më datën 25 korrik.
“Prej disa ditësh dhe përgjatë gjithë javës ne kemi mundësuar që të realizohet vaksinimi në +18 vjeç, në çdo qendër shëndetësore dhe në çdo pikë të vaksinimit të përqendruar dhe gjithashtu nëpërmjet njësive lëvizëse të vaksinimit, që tashmë janë në të gjithë vendin”, tha Manastirliu, duke u bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen sa më parë, për t’u mbrojtur nga Covid19.