Luiza Gega, kampionia evropiane në atletikë dhe sportistja më e suksesshme shqiptare e viteve të fundit, ka refuzuar të përfaqësojë Shqipërinë në Kampionatin Evropian të Atletikës për shtete që nis të martën në Slloveni. Vendimi i saj vjen si reagim ndaj mungesës totale të mbështetjes dhe organizimit nga Federata Shqiptare e Atletikës, e cila, sipas Gegës, po e çon sportin shqiptar 20 vite pas në kohë.
Në një reagim të fortë në rrjete sociale, Gega denoncoi faktin se ekipi shqiptar ishte planifikuar të udhëtonte me autobus për një rrugë 20 orëshe drejt Sllovenisë. “M’u rikthye ndjesia e para 20 viteve. Nuk ka asgjë të keqe të udhëtosh me autobus, por është një rrugë rraskapitëse që asnjë sportist nuk duhet ta bëjë para një gare,” shkruan ajo.
Atletja ka kritikuar ashpër presidentin aktual të federatës, Izmir Smajlaj, ish-sportist në kërcim së gjati, i cili mori detyrën në maj. “Në ditën e parë ai tha se do të mbështeste sportistët sepse e kuptonte nga përvoja. Sot e ktheu atletikën 20 vite pas,” tha Gega. Ajo denoncoi gjithashtu mungesën e uniformave për ekipin, duke shtuar se të vetmet veshje zyrtare janë të blera nga trajneri i saj, dy vite më parë, me të ardhurat e tij personale. “Kur s’ka fonde, një president i vërtetë duhet të marrë përgjegjësi, edhe nga xhepi i vet,” theksoi ajo.
Kjo nuk është hera e parë që Gega ngre zërin për mungesën e përkujdesjes dhe manipulimet brenda sportit shqiptar. Në zgjedhjet për kreun e Federatës së Atletikës, ajo denoncoi formimin e katër shoqatave fiktive brenda dy muajve, të cilat sipas saj ishin krijuar për të ndikuar në rezultatin e votimit. “Kur Taulant Stërmasi u zgjodh president, ai refuzoi të njihte këto shoqata si të rregullta,” tha ajo, duke vënë në pikëpyetje integritetin e procesit.
Megjithëse është shpallur kampione evropiane, Luiza Gega ka marrë shumë pak në këmbim nga shteti shqiptar. Ajo ka denoncuar se Ministria e Arsimit dhe Sportit nuk i ka dhënë as shpërblimet që i takojnë. “Kam gjithë jetën time që investoj dhe vetëm dy vitet e fundit, me ndryshimet në VKM, kam arritur të marr diçka. Asgjë të falur, gjithçka me djersën time,” shkruan ajo në një tjetër reagim në Instagram, duke shtuar se në vitin Olimpik nuk ka ndjerë asnjë vëmendje nga institucionet.
Atletët shqiptarë, vetëm kur u duhen për fushata
Rasti i Luiza Gegës nuk është i vetmi. Sportistët shqiptarë vazhdojnë të përballen me mungesë mbështetjeje, shpërblimesh dhe motivimi, ndërkohë që shteti i përdor për fushata dhe propagandë sa herë që i leverdis. Një nga shembujt më të dhimbshëm është ai i boksierit Klevis Çelaj, i cili, pavarësisht se fitoi titullin kampion kombëtar, u shpërblye vetëm me 14 mijë lekë, një shumë që nuk mjafton as për një palë doreza boksi. Pas më shumë se një viti, situata e tij nuk ka ndryshuar dhe i vetmi reagim ka ardhur nga qytetarë të zakonshëm, jo nga institucionet që duhet ta mbështesnin.
Kjo panoramë e zymtë është arsyeja pse shumë sportistë shqiptarë janë detyruar të kërkojnë një të ardhme më të ndritur jashtë vendit. Sahit Prizreni la flamurin shqiptar për atë australian, Elis Guri garon për Bullgarinë, Romela Begaj stërvitet në Kanada dhe lista vazhdon. Ata zgjodhën vende që dinë të vlerësojnë mundin dhe talentin, sepse Shqipëria, përkundër fjalëve të bukura, vazhdon të braktisë ata që e nderojnë në skenën ndërkombëtare.
Nga sportet individuale te ato kolektive, nga atletët profesionistë deri te talentet në ngritje, të gjithë ndajnë të njëjtin fat: mungesë investimi, shpërblime minimale, kushte të vështira jetese dhe premtime boshe.
Luiza Gega nuk është vetëm një kampione, por edhe një zë i ndërgjegjes që nuk pranon të heshtë. Ajo ka zgjedhur të mos përfaqësojë një sistem që nuk e respekton. Dhe për sa kohë ky sistem nuk ndryshon, largimi dhe protesta mbeten e vetmja formë rezistence.