Shtetet e Bashkuara kanë miratuar rregulla të reja për Programin e Vizave të Diversitetit, i njohur si Lotaria Amerikane, duke vendosur standarde më të rrepta për verifikimin e identitetit të aplikantëve.
Departamenti i Shtetit publikoi rregulloren përfundimtare në Regjistrin Federal me titullin “Vizat: Përmirësimi i Verifikimit dhe Luftimi i Mashtrimit në Programin e Vizave të emigrantëve të Diversitetit”. Sipas njoftimit zyrtar, rregulli hyn në fuqi më 10 prill 2026 dhe synon të rrisë transparencën dhe të ulë abuzimet në procesin e aplikimit.
Sipas ndryshimeve të reja, çdo aplikant duhet të paraqesë një pasaportë të vlefshme dhe të pashkaduar si pjesë e formularit elektronik të regjistrimit. Përveç kësaj, kërkohet edhe ngarkimi i një skanimi të faqeve biografike dhe të nënshkrimit të pasaportës gjatë aplikimit.
Zyrtarët amerikanë theksojnë se këto masa janë hartuar për të forcuar verifikimin e identitetit dhe për të reduktuar aplikimet mashtruese. Çdo vit, programi vë në dispozicion deri në 55,000 viza përmes një procesi përzgjedhjeje të rastësishme, por ndër vite është përballur me probleme si aplikime të dyfishta dhe regjistrime të bëra nga palë të treta pa dijeninë e individëve.
Me rregulloren e re, aplikantët duhet të përfshijnë:
Numrin e pasaportës
Vendi ose autoriteti që ka lëshuar pasaportën
Datën e skadimit të pasaportës
Një kopje të skanuar të faqeve biografike dhe të nënshkrimit
Regjistrimet që nuk përmbushin këto kërkesa rrezikojnë të skualifikohen.
Rregullorja parashikon edhe disa përjashtime të kufizuara për persona pa shtetësi, për ata që nuk mund të pajisen me pasaportë për shkak të kufizimeve qeveritare, ose për raste të veçanta të miratuara nga autoritetet amerikane.
Ndryshimet përfshijnë edhe përditësime teknike në terminologji. Termi “gjini” zëvendësohet me “seks”, ndërsa “mosha” me “datën e lindjes”, për të reflektuar më saktë të dhënat e mbledhura në sistemet e vizave.
Sipas Departamentit të Shtetit, këto masa do të zbatohen duke nisur nga Lotaria DV-2027. Ndërkohë, periudha e regjistrimit për këtë program është shtyrë dhe ende nuk janë shpallur datat e reja. Ky pezullim u vendos në janar për 75 vende, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.
Me hyrjen në fuqi të rregullave të reja, aplikantët duhet të sigurojnë paraprakisht dokumentacionin e nevojshëm, pasi pasaporta do të jetë një element kyç në procesin e aplikimit për Lotarinë Amerikane.








