Grupet e organizuara shqiptare që tashmë vepronjë nëpër botë, janë kthyer edhe në “marka” ndërkombëtare, të cilat po habisin si policitë dhe shërbimet inteligjente të botës, por po ashtu edhe opinionin.
Ajo që nxori në dritë operacioni i një dite më parë “Los Blancos”, i cili vuri në pranga pjesëtarët e kartelit më të madh shqiptar që merreshin me trafikimin e kokainës nga vendet e Amerikës së Jugut, ishte brendi i një kompanie të njohur si “Bello”.
Kjo kompani është detaji që u zbulua nga Prokuroria e Firences, e cila kishte rol parësor në operacion, duke treguar se, pjesëtarët e bandës stamponin në pakot e tyre të kokainës pikërisht markën “Bello”, të cilën e shkruanin në blloqe për të treguar kështu cilësinë e lartë të produktit.
Pjesëtarët e bandës shqiptare jetonin në apartamente luksoze, fshihnin kokainën e tyre në sediljet e automjeteve, pastronin paratë në një mënyrë tepër të fshehtë duke përfshirë emigrantët, ndërronin emrat dhe komunikonin me kode.
Kapaciteti depërtues i kriminelëve shqiptarë u demonstrua gjithashtu nga zbulimi i ekzistencës së markës së tyre ‘Bello’, e cila u stampua në pakot e tyre të kokainës të importuara në Evropë.
“Marka në blloqe, është pothuajse si një garanci e cilësisë së produktit, është një risi absolute dhe befasuese, e cila u arrit të zbulohet në pesë vite hetim”,- theksoi prokurori i Antimafias Italiane, Federico Cafiero de Raho.
Deklarata e Prokurorit të Antimafjas
Gjatë një konference të bërë në gjykatën e Firences, prokurori kombëtar i Antimafia u shpreh se, kriminelët shqiptarë kanë aftësi të madhe që të merren me drogën në Amerikën Latine, e mbi të gjitha të mbajnë marrëdhënie të mirë me trafikantët e mëdhenj.
“Ndonjëherë na shtyjnë të mendojmë se organizatat kriminale shqiptare janë të nivelit të dytë. Operacioni ‘Los Blancos’ demonstron, se kriminelët shqiptarë kanë aftësi të mëdha duke u marrë drejtpërdrejt me kartelet e trafikantëve të drogës në Amerikën Latine, duke siguruar me ta marrëdhënie të qëndrueshme. Hetimet gjithashtu konstatuan ekzistencën e një superstrukture kriminale shqiptare, një lloj ‘kupole’, nga e cila vinin direktivat strategjike”,- tha prokurori italian.
Hetimi ka nisur nga një skuadër hetimi “Florence Mobile Team”, një ekip gjerman dhe Qendra Europiane për Trafikun e Drogës në bashkëpunim me Eurojust dhe Europol, Anti-Mafian italiane, qendrën kundër terrorizmit dhe qendrën kombëtare të policinë kriminale.
Operacioni “Los Blancos” është shtrirë po ashtu edhe në vendin tonë, ku mësohet se deri më tani janë të arrestuar 5 persona, emrat e të cilëve, Dosja.al ka arritur t’i zbulojë dhe ata janë: Gentjan Manaj, Rexhino Ibrahimi, Vladimir Lesaj, dhe Elvis Jaupaj. Të 5 të arrestuarit do të ekstradohen në Itali për llogari të autoriteteve italiane. Po ashtu në pranga kanë rënë, Lek Colaj, 40 vjeç, i cili u arrestua në Rumani; Gjergj Lesaj, 38 vjeç, i cili u arrestua ne Holandë; Sokol Aliko (Memetaj), 36 vjeç, i cili u arrestua në Spanjë; Robert Varga, 44 vjeç, i cili u arrestua në Hungari. Gjithashtu iu komunikua masa e sigurisë “Arrest në burg” shtetasit Altin Velsula (Hoxha), 36 vjeç, i cili ndodhet në burg në Norvegji.
Gjatë arrestimeve u vu në pranga dhe Eldi Dizdari, biznesmeni që mendohet se është në krye të ‘Los Blancos’. Ai është arrestuar në Dubai dhe pritet që të sillet në Shqipëri. Gjatë operacionit janë sekuestruar 5.5 milionë euro cash dhe 4 ton kokainë.
Mënyra si ‘punonte’ Karteli
Kompania e Dizdarit ‘Bello’ shpërndante ngarkesat me kokainë në Amerikën e Jugut, Roterdam, Hamburg, Antëerpen. Mediat holandeze kanë treguar dhe mënyrën se si i fshihnin ngarkesat në makina, duke i vendosur në hapësirën e jastëkut në anën e pasagjerit ose nën dysheme. Kriminelët pastronin paratë e tyre me një skemë të mirë menduar.
Ata sillnin lekët nëpërmjet sistemit të remitancave (paratë e dërguara nga emigrantët). Nëpërmjet pikave të transferimit të parave, ata dërgonin paratë në këto agjenci në vende të caktuara.
Një operator tjetër tërheq shumën ekuivalente diku tjetër në botë dhe ia kalon marrësit të synuar. Kështu ato nuk linin asnjë gjurmë të dyshimtë, duke pastruar kështu miliona euro përmes këtij sistemi.
Jetesa e pjesëtarëve të Kartelit
Shqiptarët që ishin pjesë e kartelit ‘Los Blancos’ jetonin në apartamente luksoze, super të shtrenjta, me garazhe të brendshme parkimi.
Emrat e tyre nuk janë të njëjtë me atë që njihen në Shqipëri. Anëtarët e kartelit, ndryshonin ligjërisht emrat, disa herë duke ia vështirësuar jetën hetuesve.
Dhe një detaj shumë i rëndësishëm në komunikimin mes pjesëtarëve të kartelit: Mesazhet mes tyre nuk janë si të personave normal por të “koduara”.
/GazetaReforma.com/