Qyteti i Elbasanit është “pushtuar” nga plehrat, kudo ku shkel, në rrugë, lagje dhe madje dhe në pragun e shtëpive.
Qyteti është zhytur në këtë gjendje pasi kompanisë së pastrimit “Victoria Invest”, i ka përfunduar kontrata me bashkinë e Elbasanit që prej datës 24 nëntor.
Paaftësia e bashkisë për të zgjedhur në kohë një kompani të re pastrimi ka bërë që qyteti të mbetet në këtë gjendje.
I pyetur në lidhje me këtë situatë kaotike me plehrat, kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja premtoi se brenda javës do të merrte zgjidhje problemi i mbetjeve urbane në qytet.
Por mesa duket premtimin e kryebashkiakut të Elbasanit e ka “marrë era” pasi 8 dhjetori e gjeti Elbasanin në atë gjendje, madje edhe më të përkeqësuar nga plehrat.
Të tejmbushura me mbeturina nuk janë vetëm koshat e kontejnierët, por edhe lagjet e rrugët e qytetit ku njerëzit veç shqetësimit të erës së keqe, nuk lëvizin dot për shkak të krijimit të pirgjeve dhe ndotjes.
“Të shqetësuar jemi, po, ça të bëjmë ne. Këtu vjen dhe erë e keq dhe nuk duhen lënë me ditë, çdo ditë duhet të hiqen’, shprehet një qytetar i Elbasanit për “Report TV”
Ndërkohë që një qytetar tjetër thotë: S’kemi ça të bëjmë ne, është pisllëk i madh për fëmijët dhe për ne. Duhet ta pastrojë Bashkia.
Kujtojmë që kompanisë “Viktoria Invest” i përfundoi kontrata me Bashkinë e Elbasanit dhe si rrjedhojë 300 punonjësit e saj dhe pastrimi i qytetit kanë ngelur në mëshirë të fatit. Për shkak të situatës së pazakontë qytetarët kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve pasi janë taksapagues të rregullt.
“Ka rreth 2 muaj që nuk pastrohet rregullisht. Ne kërkojmë që të pastrohet se ne taksat i paguajmë të gjitha”, shprehet një qytetar për “Report Tv”
Aktualisht me pastrimin e qytetit po merret Agjencia e Shërbimeve Publike. Ndërsa Bashkia e Elbasanit ende nuk ka dhënë një zgjidhje, qytetarët janë në pritje që Agjencia e Prokurimit Publik të përzgjedhë kompaninë e re që do të merret me pastrimin e Elbasanit.