Situata kaotike në pikën kufitare të Kakavijës ditën e sotme ishte tragjike për familjen Ndoj që humbi fëmijën 10 vjeçar ndërkohë që prisnin në rradhë për të kaluar kufirin.
Ngjarja ndodhi rreth orës 10:30, në aksin nacional Kakavije – Gjirokastër, në afërsi të kthesës së Bularatit, ku një autoambulancë me drejtues shtetasin A. G, që po transportonte një shtetase të sëmurë për në spitalin rajonal Gjirokastër, ka përplasur këmbësorin, shtetasin Samuel Ndoj 10 vjeç, banues në Lezhë, i cili humbi jetën menjëherë pas përplasjes.
Dhe pas lajmit tragjik se 10-vjeçari kishte humbur jetën, mësuesja e tij Lindita Kokaj publikoi foton e tij dhe një dedikim për ikjen e tij nga jeta.
Kokaj thotë se kjo tragjedi është e papërballueshmr jo vetëm për familjen e tij por për të gjithë pasi jemi në një kohë të vrarë psikologjikisht të vrarë nga pandemia dhe nuk e dimë nga na vjen vdekja.
Dedikimi i mësueses:
10 vjeçari nga Kallmeti i Frang Bardhit, martir i Ditës së Shtegtarëve, në shtegtimin e tij drejt ëndrres së vrarë në Kakavijë
E trishtë Dita e Shtegtarëve për Lezhën dhe lezhjanet, pasi pikërisht në këtë ditë u “martirizua” në radhet e emigrantëve në Kakavjë, vogëlushi 10- vjeçar nga Kallemti i Lezhës.
(Duke u kërkuar ndjesë familjarëve për përdorimin e fotove nga profilet e tyre sociale).
Ky është S.Nik Ndoj, i cili vetëm pak ditë më parë mbushi 10 vjeç, që së bashku me prindërit dhe vëllain po shtegtonin në Greqi, por ëndrra e tij u pre në mes si pasojë e një aksidenti të ndodhur pikërisht në radhet kilometrike të shtegtarëve të përvuajtuar në Kakavijë.
Siç u mësua nga mediat që raportuan nga vendi i ngjarjes, ndarja tragjike nga jeta e këtij ëngjëlli, erdhi nga përplasja e një autoambulanca, mjet i cili ka mision për të shpëtuar jetë dhe jo për të marrë jetë.
Zemra e tij rrahu së pushuari në këtë rrugë ku prindërit e tij dhe me mijra shqiptarë kanë shtegtuar në këto 30 vite në kërkim të ëndrres së tyre të vrarë.
Kjo tragjedi jo vetëm për familjen, por edhe për ne të gjithë është e papërballueshme në një kohë të tillë, kur jemi “të vrarë” psikologjikisht dhe nga pandemia, pasi të ndodhur në “udhëkryq”, nuk e dimë se nga vdekja po na vjen.
Data shënon 15 gusht dhe Lezha e Besëlidhjes që në vitin 2006 e ka pagëzuar me emrin “Dita e Shtegtarëve”. Një ditë simbol në respekt të emigrantëve,të gjithë atyre qytetarëve, familjarëve, të rinjve e të rejave, të cilët sakrifikuan jetën dhe rininë e tyre duke lënë vatrat dhe familjet në kërkim të një ëndrre të re.
Që në vitin 2006 është vendosur në qender të qytetit , obelisku i shtegtarëve, mbi të cilin është gdhendur një mesazh kuptimplotë “Mirënjohje, respekt dhe dashuri ndaj atyre që shtegtuan me vdekjen në kërkim të ëndrrës së vrarë të një kombi”.
Vogëlushit kallmetor gjatë shtegtimit me familjen e tij, ëndrrat ju prenë në mes pikërisht në këtë 15 gusht 2020 ku me mijra emigrantë po përballen me radhët e gjata në Kakavijë.
SAMUEL, u prehsh në paqe! Shën Eufemija e Kallmetit të ndriçoftë shtegtimin tënd në rrugen e Parajses!
Lindita Kokaj