Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin për kërkesën e Kryeministrit lidhur me pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Me vota të ndara 4 me 4, pa u arritur shumica prej 5 gjyqtarësh, kërkesa është konsideruar e rrëzuar dhe pezullimi mbetet në fuqi.
Kryeministri i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar zgjidhjen e një konflikti kompetencash mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor. Ai kundërshtoi vendimin e GJKKO-së që vendosi masën “pezullim nga detyra” ndaj Ballukut, duke argumentuar se kjo masë cenon funksionimin e Këshillit të Ministrave dhe ndërhyn në kompetencat e tij kushtetuese si Kryeministër. Sipas tij, ministrat gëzojnë imunitetin e deputetit dhe Kushtetuta nuk parashikon pezullimin e tyre nga detyra pa një mekanizëm të qartë kushtetues.
Kuvendi mbështeti këtë qëndrim, duke theksuar se ndërhyrja gjyqësore në përbërjen e qeverisë prek përgjegjësinë politike që ajo mban përpara Parlamentit.
Prokuroria e Posaçme argumentoi se masa e pezullimit është një vendim individual me karakter penal, i parashikuar në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, dhe nuk përbën konflikt kompetencash. Sipas saj, pezullimi prek individin dhe jo institucionin, ndërsa nuk kërkohet autorizim i Kuvendit për një masë të tillë.
Në arsyetim, Gjykata analizoi nenin 103 të Kushtetutës, që parashikon se anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit, si dhe nenin 73 për shtrirjen e këtij imuniteti. Gjyqtarët u ndanë në dy qëndrime: njëri vlerësoi se pezullimi prek drejtpërdrejt funksionimin e pushtetit ekzekutiv dhe kërkon përfshirjen e Kuvendit, ndërsa tjetri se masa nuk përfshihet në listën e rasteve që kërkojnë autorizim parlamentar dhe se imuniteti duhet interpretuar ngushtë.
Për shkak të mungesës së shumicës së nevojshme, Gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës së Kryeministrit. Vendimi është përfundimtar dhe hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.







