Ditën e djeshme 43-vjeçari nga Kukësi, Bilbil Hasani, vari veten me çarçafë në burgun nr.313 në Tiranë, ku ndodhej prej muajsh pasi ishte kapur duke vjedhur 1 200 lekë verën e vitit të shkuar.
Lidhur me vetëvrasjen e tij reagoi edhe kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë,Artur Metani, i cili bëri me dije se ka nisur një inspektim për shkaqet që çuan 43-vjeçarin në vendimin ekstrem.
“U njoha nga mediat me lajmin e vetëvarjes së 43 vjeçarit B.H., në institucionin e vuajtjes së dënimit 313 në Tiranë, si dhe me pretendimin se i ndjeri po qëndronte me masë sigurie në burg, për shkak se kishte vjedhur 12 mijë lekë të vjetra. Inspektori i Lartë i Drejtësisë po vlerëson rastin për fillimin e verifikimit nëse ka patur vonesa në veprimet procedurale hetimore apo gjyqësore, si dhe nëse ka zbatim të gabuar të ligjit material apo procedural”, deklaroi Metani ditën e djeshme.
Ditën e sotme vëllai i viktimës, Rajmond Hasani, ka dhënë një intervistë për ABC News, ku kërkoi që çështja të ndiqet nga drejtësia dhe hodhi akuza ndaj Gjykatës për vendimin e dhënë.
Sipas tij, Bilbili ka qenë me kartelë mjekësore prej 18 vitesh dhe institucioni ku u burgos nuk ishte i duhuri për ta mbajtur në burg.
Bilbili ishte babai i katër fëmijëve dhe dyshohet se nga gjendja e rënduar psikologjike vendosi t’i jepte fund jetës në kushtet e depresionit.
Fakti që ishte në burgun 313 ka ndikuar në vetëvrasje?
Kjo është arsyeja sipas meje, prej 18 vitesh nuk ka dhënë shenja.
Nusja e tij në 8 të mëngjesit ka qenë e përgatitur për ta takuar dhe aty ka marrë njoftimin. Nuk ka qenë në dijeni as avokati për vetëvrasjen.
Ka shfaqur shqetësime, mendoj se nga pjesa e izolimit dhe nga institucioni ku ai është mbajtur i burgosur, nuk duhet të ishte aty.
Ngjarja ka ndodhur natën rreth orë 2 apo 3, ne jemi të informuar nga njerëzit. Avokati e ka marrë vesh lajmin dje në orën 12:00 nëpërmjet mediave.
Bilbili ka qenë në emigracion që i vogël dhe për shkak të jetës së vështirë kaloi në depresion. Këtu ishte me kemp, herë pas here shkonte në Greqi, kishte edhe nusen në punë. Banesa është e tyrë, por janë në borxh sepse e kanë ndërtuar me borxhe.
Kush e detyroi Bilbilin drejt vetëvrasjes?
Fajtore sipas meje është Gjykata dhe Institucioni i Burgut që nuk ka kryer detyrën siç duhet. Ky rast na ka shkatërruar, dua që të ndiqet çështja dhe të kryhen hetime nga momenti i arrestimit, duke përfshirë edhe Gjykatën për vendimin masës arrest me burg për një të sëmurë mendor