Në Shqipëri ekziston prej dekadash një model i njohur dhune – e heshtur, por brutale. Ajo nuk ndodh me armë, por me tenderë. Nuk sheh gjak, por sheh jetë që fshihen nga hartat, toka që tjetërsohen pa kthim, komunitete që ndahen më shumë se lidhen. Quhet “zhvillim”, por për ata që e përjetojnë nga afër, është shkatërrim i heshtur. Është projekti që kalon mbi jetën tënde dhe nuk ndalet, sepse mban vulën e pushtetit dhe heshtjen e opozitës.
Sot janë banorët e Kaninës ata që përballen me këtë dhunë të heshtur. Një nënkalim i ndërtuar në emër të infrastrukturës, që nuk kalon dot as një makinë bujqësore. 150 familje të ndara nga pronat e tyre, ullishta të paprekshme për të zotët. Ambulanca që s’mund të hyjë, zjarrfikëse që s’mund të afrohet dhe ankesa të padëgjuara nga askush.
“Kemi mbetur të bllokuar, pa rrugë, pa zgjidhje,” – thotë kryeplaku Bareq Sadiraj. “Kërkojmë vetëm të mos na izolojnë.”
Kjo histori nuk është e re. Është e njëjta plagë që ka prekur edhe më parë zona si Thumana, Kashari, Bubqi, Fushë-Kruja e të tjera me radhë. Aty ku banorët u përzunë nga shtëpitë, tokat u morën me vlera qesharake ose pa kompensim fare dhe askush nuk mbajti përgjegjësi. Fshatra të tëra u zhdukën, komunitete u shpërndanë. Rrugët e reja sollën automjete të shtrenjta, por lanë prapa varfëri të re dhe një izolim të padukshëm.
Dhe në asnjë nga këto raste, askush nuk ka dhënë llogari. Asnjë hetim penal. Asnjë auditim i pavarur. Asnjë ndërprerje kontrate. Sepse Gener 2, ashtu si oligarkët e tjerë që të gjithë i njohin, nuk funksionon si kompani në një treg konkurrues – funksionon si një strukturë e mbrojtur shtetërore, ku çdo pasojë sociale është e pranueshme, por çdo shqetësim për fitimin është tabu.
Skemën e rëndon mënyra si këto projekte kalojnë: me procedura të mbyllura, shpesh pa garë reale, me kritere që përjashtojnë të gjithë të tjerët. Nuk është rastësi që tenderët më të mëdhenj strategjikë u jepen gjithmonë të njëjtëve. Ky nuk është treg i lirë – është një monopol i formalizuar, që ushqehet nga buxheti i shtetit dhe grabit atë që është më i shtrenjtë për qytetarin: toka, prona, jeta.
Pas kësaj spiraleje shkatërrimi qëndron një emër i njohur: Gener 2, kompania që ndërton për qeveritë njëra pas tjetrës, pa u ndalur kurrë. Që mori miliona për projektin Thumanë-Kashar. Që tani ndërton bypass-in e Vlorës. Që u kthye në simbol të një modeli: ndërto – izolo – hesht – përfito. Dhe askush nuk flet.
As opozita. Sepse edhe ajo është ortake e këtij pushteti informal. Nuk ka pasur kurrë guximin të përmendë publikisht emrin e Gener 2 apo të Bashkim Ulajt. As kur flet për abuzime, as kur denoncon padrejtësi. Heshtja e saj është bashkëpunim.
Banorët e Kaninës – si ata të Thumanës dje – janë sot të pafuqishëm. Shumë prej tyre kanë shitur votën, ndoshta nga halli, nga mungesa e shpresës. Dhe sot s’kanë kujt t’i ankohen më, sepse askush nuk i dëgjon. Por edhe sikur të mos e kishin shitur, fati i tyre nuk do të ishte ndryshe. Sepse kur zhvillimi kontrollohet nga një oligarki që ka blerë qeverinë dhe ka nënshtruar opozitën, qytetari nuk ka më asnjë derë ku të trokasë.
Në Shqipëri, kur fillon ndonjë projekt i madh, duhet të dridhesh. Jo nga emocionet, por nga frika. Sepse zakonisht fillon me propagandë për “zhvillim”, dhe përfundon me ty jashtë – pa tokë, pa shtëpi, pa rrugë. Aty ku kalon një bypass, nuk kalon më jeta. Kalon firma, kalojnë lekët, kalojnë ata që s’të kanë pyetur kurrë.
Kur vjen puna për të ndarë miliona, nuk pyetet askush nga ata që do ta pësojnë. Projekti firmoset në Tiranë, punimet nisin në fshatin tënd dhe ti e merr vesh pasi të kenë ardhur fadromat. Shteti nuk të thërret, nuk të dëgjon, nuk të sheh. Ndërtimi bëhet për ata që dinë të marrin, jo për ata që kanë nevojë.
Kjo nuk është hera e parë. Dhe nuk do jetë e fundit. Thumana, Kashari, Bubqi, Fushë-Kruja – të gjitha kanë kaluar këtë rrugë: premtim, shembje, harresë. Ndryshojnë vendet, por loja është e njëjta. Ata që kanë lidhjet marrin tenderin. Ata që s’kanë as avokat, as deputet, humbasin gjithçka. Dhe historia vazhdon.
Shqiptarët emigrojnë sepse këtu askush nuk i mbron. Të marrin tokën, të ngrenë një mur para derës, e kur proteston – të injorojnë. Shteti hesht, opozita rri në kafe. Ç’të presësh tjetër? Një jetë në rrethim, apo një biletë për jashtë?
Kaninën e bllokuan sot. Nesër është radha e një tjetri. Sepse plani është i qartë: zhvillimi bëhet pa njerëzit, madje në kurriz të tyre. Ti nuk je pjesë e projektit – je pengesë. Dhe në këtë vend, pengesat nuk zgjidhen, por hiqen.
Për sa kohë që ky model nuk thyhet, do të përsëritet pafund – me të njëjtat kompani problematike, me të njëjtët okigarkë, të njëjtët partnerë politikë dhe të njëjtët qytetarë të braktisur, që gjithmonë paguajnë çmimin.