Reagimi i fundit i Dom Vlash Palajt lidhur me ngjarjet në Theth nuk është i pari ku famulltari i Shkodrës ngre zërin për çështje që prekin drejtpërdrejt qytetarët. Megjithatë, këtë herë fjalët e tij u bënë shkak për një reagim të drejtpërdrejtë nga kryeministri Edi Rama, i cili e etiketoi si “një prift” që, sipas tij, nuk duhet të përfshihet në këto çështje.
Në mesazhin drejtuar besimtarëve, Dom Vlashi e përshkroi situatën në Theth si një proces të padrejtë ndaj banorëve: “Një konflikt i madh po ndodh në Theth, më vjen shumë keq, sepse ata i joshën, i rrejtën, i shfrytëzuan, i vjelën dhe në fund i hodhën dhe i tradhëtuan, i dogjën, i shkatërruan. Do i gjobisin dhe do i burgosin.” Fjalët e tij përmendnin mungesën e përpjekjeve për dialog dhe për të kuptuar njerëzit në nevojë.
Ky qëndrim u rimor nga kryeministri, i cili në një koment publik nuk e përmendi me emër, por iu referua si një prift që s’duhej të hynte në këto “historira”. Përtej replikës, reagimi tregoi edhe shqetësimin që vjen kur një figurë e kishës del me qëndrim të qartë për çështje publike.
Dom Vlashi nuk është një figurë e re në këtë aspekt. Ai ka ndërtuar ndër vite një profil të qartë si klerik që e shikon rolin e tij jo vetëm brenda mureve të kishës, por edhe në përballje me padrejtësitë e shoqërisë. Si famulltar i katedrales “Shën Shtjefni” dhe përgjegjës i famullisë “Zonja e Shkodrës”, ai është një zë i njohur në komunitet.
Pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, pa përmendur emra, ai mbajti një predikim ku denoncoi mënyrën sesi politika shqiptare e ka deformuar shërbimin publik. “Me këtë situatë që është krijuar, nuk bëjnë gjë tjetër veçse tregojnë çfarë janë, dhe më vjen keq për ta, sepse më duken shtresa më injorante dhe më e ulët e popullit shqiptar. Nuk është problemi te ajo që mbledhin, por nxjerrin në pah varfërinë e shpirtit të tyre. Atë mizerien e brendshme. Njerëz të cilët jetojnë vetëm për të pasur diçka dhe shpërfytyrojnë natyrën e tyre duke përfunduar në burg.”
Në raste të tjera ai ka kritikuar projektet estetike që shpërfillin nevojat reale të qytetarëve. Gjatë ndërhyrjeve në fasadat e Shkodrës, të ngjashme me ato që kryeministri Rama aplikoi në Tiranë në fillim të viteve 2000, Dom Vlashi foli për përmbajtjen përballë pamjes së jashtme. “Rëndësi ka kujdesi për hallet e atyre njerëzve që jetojnë përtej atyre fasadave në kushte të pafavorshme,” deklaroi ai në një predikim publik.
Po ashtu, në një tjetër rast, ai ka kritikuar mungesën e vëmendjes ndaj të moshuarve që vuajnë në kushte të rënda gjatë verës, ndërsa institucionet dhe mediat fokusohen te turistët e huaj. Ky raport i njëanshëm me realitetin, sipas tij, dëshmon për një mungesë prioritizimi të atyre që kanë më shumë nevojë për mbështetje.
Mesazhet e Dom Vlashit janë shpesh reflektim mbi drejtimin që ka marrë shoqëria. Në një klimë ku politika nxit garën për pasuri të shpejtë dhe fuqizim personal, ai ka zgjedhur të flasë për boshllëkun moral që krijon kjo logjikë, për pasojat e saj te njeriu dhe komuniteti. Ai flet për rrezikun e kthimit të vlerave në mall tregu dhe të moralit në një koncept të pavlefshëm për pushtetin.
Pikërisht kjo përplasje në themel me filozofinë që ka shoqëruar politikën shqiptare ndër dekada dhe sidomos në periudhën e fundit qeverisëse, e bën qëndrimin e Dom Vlashit të bjerë në sy. Në një anë qëndron pushteti i ndërtuar mbi kontrollin dhe përjashtimin e çdo zëri që bie ndesh me narrativën zyrtare. Në tjetrën, një klerik që flet për nevojën për të dëgjuar tjetrin dhe për të kuptuar edhe atë që ka gabuar.
Reagimi ndaj tij nuk është thjesht ndaj një prifti, por ndaj një qasjeje që mbështetet tek morali dhe ndërgjegjja, në një kohë kur këto janë gjithnjë e më të rralla në debatet publike. Që një klerik të marrë vëmendje jo për deklarata fetare, por për qëndrime shoqërore dhe politike, tregon shumë edhe për klimën në të cilën ndodhet vendi. Dhe fakti që ky zë ngjall nervozizëm në nivelet më të larta të pushtetit, është tregues i qartë se ende ekzistojnë forma të ndikimit moral që nuk varen nga pushteti politik apo ekonomik.