Një nga shumë premtimet e pa mbajtura të qeverisë “Rama”, është edhe ai i bërë tashmë barcaletë, për ndërtimin e një aeroporti “super-modern” në qytetin e Kukësit.
Edhe pse tashmë e ndajnë edhe disa muaj nga përfundimi i mandatit të dytë,, duket se sa herë që bie fjala për Kukësin dhe kuksianët, kryeministri Rama ka si refren po të njëjtat premtime që prej 8 vitesh i bën dhe i ribën.
Por Kryeministri Edi Rama, nuk ka pasur droje ta ripërsëris edhe një herë sot gjatë një konference të gjatë për shtyp premtimin për aeroportin e Kukësit.
Disi si zotim dhe disi si batutë, Rama ka deklaruar, që do të marrë me avion nga Londra kuksianët dhe do t’i ulë në Kukës të votojnë PD-në.
Duke mos e fshehur ironinë edhe për kreun e PD-së, Lulzim Basha, kryeministri ka luajtur sot sërish me kartën e aeroportit në Kukës.
“Sot mora një informacion tjetër të detajuar për aeroportin e Kukësit dhe unë jam i bindur nëse larg qoftë, ndonjë forcë maxhore nuk do ndërhyjë në formën e një pengese objektive kuksianët nga Londra që janë tallur dhe më kanë përqeshur në ‘Facebook’ pafund për aeroportin do t’i marr nga Londra dhe do t’i ul në Kukës unë.
Do t’i sjell nga Londra të votojnë PD-në në Kukës me avion në aeroportin e Kukësit. Do t’i sjell që të votojnë PD-në. Kështu që PD-ja do ketë nga unë 120 vota në Kukës falas, jo nga ato me pagesë që ishte mësuar të bënte kur kishte kompani private ajrore”,- ironizoi sot Rama.
Aeroporti ekzistent
Që nga koha e komunizmit Kukësi i Ri ka pasur një fushë uljeje ajrore për qëllime ushtarake në zonën Juglindore të qytetit, që mund të kthehej në çdo moment në një aerodrom ushtarak në rast lufte.
Kjo fushë i dha provat e saj më së miri gjatë konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë, kur një pjesë e saj u kthye në një kamp gjigant refugjatësh kosovarë, dhe pjesa tjetër u përdor nga NATO për misione ushtarake.
Më pas, në vitet 2000 kjo fushë u kthye në një pistë të vogël uljeje avionësh, që banorët e zonës e quajnë me mburrje “aeroporti i Kukësit”, falë një investimi të Emirateve Arabe që i dhanë asaj nuancat e një mini-aeroporti.
Por në asnjë kohë kjo pistë tashme me beton nuk ka funksionuar si një aeroport civil dhe premtimet në këto vite nga politika e të gjitha krahëve kanë qenë të shumta, për ta rikthyer në një “aeroport të madh”.
“GazetaReforma.com” ka mësuar së fundi nga burime pranë qeverisë, se po përflitet një kompani e afërt me biznesmenin Shefqet Kastrati që ka me koncesion edhe “Rrugën e Kombit”, për ta marrë dhe zgjeruar aeroportin e Kukësit.
Por edhe ky projekt, duket se momentalisht është në kuadrin e planeve afatmesme, ndërkohë që ende diskutimet janë në trajtën e thashethemeve.
Premtimet e Ramës me kuksianët
Kujtojmë se pak kohë më parë, kryeministri Rama, hodhi në profilin e tij në “Facebook” edhe disa foto në 3D me urën hyrëse gjoja të përfunduar të qytetit të Kukësit.
Por kjo urë ashtu si fotot në profilin e kryeministrit, është vetëm një projekt në letër, pasi asnjë metër kub dhe nuk ka lëvizur nga vendi ku realisht duhet të ngrihet ura e re që kalon mbi lumin Drini i Zi. Aty ndodhet ende ura e vjetër që nga koha e komunizmit, ku aksidentet automobilistike janë të shumta.
Një tjetër premtim i “bujshëm” i kryeministrit Rama për kuksianët ka qenë ai gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017 dhe atyre lokale të vitit 2019, kur u premtoi kuksianëve edhe ndërtimin e një stadiumi të madh në këtë qytet që do të ishte me përmasat e atij të “Elbasan Arena”.
Por të gjitha premtimet për kuksianët, si edhe ai me aeroportin, i ka marrë era e këtyre viteve dhe janë harruar, ndërkohë që i vetmi zotim i mbajtur ishte ai i bërjes së “Rrugës së Kombit” me pagesë duke bërë që kuksianëve dhe gjithë shqiptarëve kjo rrugë t’u kushtojë disa fish më shtrenjtë.
/GazetaReforma.com/