Bashkimi Evropian (BE) mbase nuk do ta miratojë kurrë përdorimin e vaksinës së Rusisë, Sputnik-V, kundër koronavirusit, tha kryeministri i Italisë, Mario Draghi. Italia është vend anëtar i BE-së. Në fjalën e tij, Draghi tha:
“Sputnik, ende nuk ka arritur të miratohet nga Agjencia Evropiane e Barnave dhe mbase nuk do të ndodhë kurrë”, tha Draghi. Kryeministri Italian hodhi dyshime edhe për vaksinën e Kinës, Sinovac, kundër koronavirusit.
“Vaksina kineze ka treguar se është e pamjaftueshme, shikoni përvojën në Kili”, shtoi udhëheqësi Italian, transmeton AFP.
Kili e ka mbështetur shumë procesin e imunizimit te vaksina kineze, mirëpo autoritetet atje kanë thënë se janë duke e shqyrtuar mundësinë që të shtojnë edhe një dozë të tretë për të rritur mbrojtjen ndaj varianteve të reja të koronavirusit.
Draghi i bëri komentet pas përfundimit të një samiti të vendeve të BE-së në të cilin udhëheqësit evropianë patën një diskutim të përgjithshëm mbi gjendjen e pandemisë, shkruan REL. Të dyja vaksinat, Sputnik V dhe Sinovac, janë nën një proces shqyrtimi nga Agjencia Evropiane e Barnave.
“Pandemia nuk ka mbaruar, ne ende nuk kemi dalë prej saj”, tha udhëheqësi italian, duke përmendur përhapjen e variantit më të transmetueshëm Delta në Britani të Madhe.
Dy vende anëtare të BE-së, Hungaria dhe Sllovakia e përdorin edhe vaksinën ruse Sputnik V.