Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka dhënë sot një deklaratë të fortë për diplomatët në Tiranë, duke u shprehur se janë peng i politikës dhe tha se nuk paguajnë asnjë taksë, por fitojnë më shumë kur jetojnë këtu.
Kryemadhi u shpreh se presidentit Meta, njëherësh edhe bashkëshortit të saj, i ka ardhur në majë të hundës nga ndërkombëtarët dhe paralajmëroi se nëse shpërthen do të thotë se nuk duron dot më.
“Ata të huajt nuk paguajnë asnjë taksë këtu në Shqipëri, përkundrazi fitojnë më shumë. Nuk më intereson fjalori i presidentit në marrëdhëniet me ndërkombëtarët. Presidenti ka diskursin e vet politik dhe diplomatik. Monika Kryemadhi është politikania e parë që ka kundërshtuar mënyrën e njëanshme dhe të kompromentaura të ambasadorëve. Nëse presidenti mban një qëndrim të tillë mund ta pyesni, por me sa duket i ka ardhur edhe atij në majë të hundës, sepse është shumë i qetë dhe diplomat, por kur shpërthen Ilir Meta do të thotë se i ka ardhur në majë të hundës, se ai është diplomat dhe kur shpërthen ai do të thotë se nuk duron dot më”, u shpreh kryetarja e LSI.
Në një intervistë për “Pasdite me Xhaxhiun” kreu i LSI u shpreh se opozita po organizohet në formë ‘guerrilse’ për të kundërshtuar dhe larguar politikën varfëruese që qeveris vendin nën drejtimin e Edi Ramës.
Ndërsa, lidhur me polemikat e shkaktuara së fundmi mbi marrëdhënien e kryeministrit Edi Rama me presidentin, ajo tha se nuk i frikësohet aspak një ‘pazari’ Rama-Meta, dhe se nuk e shqetësonte fare deklarata e Ramës sepse sipas saj kryeministri ka thënë shumë herë “kurrë kurrë”.
Për Kryemadhin, deklarata e Ramës është bërë për të tërhequr vëmendjen nga varfëria që ka kapur shqiptarët.
“Nuk më shqetëson fare. Atë e kam thënë, e them dhe do ta them, çdo situatë që Rama mundohet ta shprehi e bën për të larguar vëmendjen nga varfëria që ka kapur shqiptarët dhe po u merr frymën. Sepse as ujë nuk do të kenë më, sepse nuk do kenë mundësi të paguajnë taksat e Lali Erit në Bashkinë e Tiranës. Kjo është. Nuk më shqetëson mua fare “kurra” e Ramës. Ai ka thënë kurrë kurrë, por unë se kam besuar dhe as e besoj Edi Ramën. Ai ka thënë ”kurrë-kurrë” shpesh. Ai s’ka qenë asnjëherë partneri im politik kur kam drejtuar institucionet. Partnerë për mua janë shqiptarët, të rinjtë e të rejat dhe të gjithë ata që duan të jetojnë dhe të punojnë në Shqipëri”, tha kryetarja e LSI Monika Kryemadhi.