Katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Kosova mbetet pa institucione të reja, për shkak të dështimeve të njëpasnjëshme për të konstituuar Kuvendin.
Në përpjekje për të zhbllokuar këtë situatë, presidentja Vjosa Osmani zhvilloi të mërkurën takime të ndara me liderët e partive më të mëdha parlamentare, përfshirë Albin Kurtin, Memli Krasniqin, Lumir Abdixhikun dhe Ramush Haradinajn.
Gjatë takimeve, Osmani kërkoi që brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese të gjendet një pajtim për ngritjen e institucioneve. Ajo theksoi nevojën për dialog dhe bashkëpunim mes partive politike, në mënyrë që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt.
Presidenca njoftoi se liderët paraqitën qëndrimet dhe interpretimet e tyre për aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, por pa dhënë detaje të tjera.
Pas takimit, Albin Kurti, lider i Vetëvendosjes dhe kryeministër në detyrë u shpreh se është i gatshëm të angazhohet për konstituimin e Kuvendit në frymën e bashkëpunimit, por nuk dha hollësi rreth ndonjë propozimi konkret.
Ai tha se është ende herët për të folur për progres, duke shtuar se duhet pritur përfundimi i të gjitha konsultimeve.
Në të kundërt, Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, e theksoi edhe një herë qëndrimin e tij për votim të hapur për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Ai përsëriti se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk lejon ndërrimin e mënyrës së votimit në mes të procesit.
Krasniqi kritikoi Vetëvendosjen dhe Kurtin për bllokimin e procesit, duke nënvizuar se është koha për të parë nëse do të ketë një reflektim politik nga ana e tyre.
Qëndrim të ngjashëm mbajti edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai deklaroi se partia e tij nuk do të mbështesë asnjë kandidat të propozuar nga Vetëvendosje për kryeparlamentar dhe mbetet e përkushtuar ndaj votimit të hapur.
Sipas Abdixhikut, zgjidhja duhet të vijë përmes ndërtimit të një shumice të qëndrueshme dhe përmes respektimit të vendimeve kushtetuese, ndërsa theksoi se LDK nuk ka problem me emra, por me parimin.
Nga ana tjetër, Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, u shpreh se kthimi te praktika e votimit të hapur do të mundësonte pjesëmarrjen në proces. Ai nënvizoi se presidentja ka shfaqur shqetësim për kalimin e kohës dhe se pret të shohë një rrugëdalje nga ky bllokim politik.
Ndërkohë, përfaqësuesit e partive politike vijojnë të fajësojnë njëri-tjetrin për krizën, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje këmbëngul në kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, e cila nuk ka arritur të marrë 61 votat e nevojshme në asnjë nga seancat e mbajtura deri tani.
Vetëvendosje kërkon që votimi të bëhet i fshehtë, por partitë e tjera e kundërshtojnë këtë mënyrë, duke refuzuar pjesëmarrjen në komisionin për mbikëqyrjen e votimit.
Politologu Dritëro Arifi e vlerëson si pozitive nismën e presidentes për konsultime, por thekson se mungesa e fleksibilitetit nga partitë e bën të vështirë arritjen e ndonjë kompromisi.
Sipas tij, përderisa partitë politike nuk lëvizin nga pozicionet e tyre fillestare, as presidentja nuk ka fuqi t’u imponojë një zgjidhje. Ai shtoi se nëse nuk gjendet zgjidhje brenda afatit të Kushtetueses, vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, dhe se mbetet për t’u parë nëse ato do të zhvillohen përpara apo pas zgjedhjeve lokale të tetorit.
Këshilltari i presidentes, Bekim Kupina, deklaroi se Osmani pret që palët të përmbushin detyrimin kushtetues dhe të mbyllin seancën konstituive brenda afatit. Ai shtoi se nëse situata mbetet e paqartë, presidentja është e gatshme t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë.
Megjithatë, sipas juristëve dhe ekspertëve të çështjeve kushtetuese, aktgjykimi i Gjykatës nuk ka sjellë qartësi për zgjidhjen e ngërçit politik.
Ata janë të mendimit se vetëm një marrëveshje politike mes partive, ose ndërhyrja direkte e presidentes, mund të çojnë drejt zgjidhjes së krizës që po paralizon institucionet në Kosovë.