Gjatë këtyre muajve kur realitetin dhe ekonominë e vendit e ka shoqëruar pasiguria e ndikuar edhe nga pandemia e koronavirusit, shqiptarët shtuan kursimet dhe “rrudhën dorën” tek shpenzimet.
Kjo gjë bëri që bankat private në vend të ndjenin një shtim të depozitave që vinin prej kursimeve të qytetarëve.
Nisur nga kjo, duke parë që një pjesë e mirë e depozitave vinin direkt në valutë të huaj, por duke parë edhe ngadalësimin e kreditimit nga ana tjetër, bankat private rritën në muajt e fundit edhe aktivetet jorezidente në 3-mujorin e tretë të vitit, ose thënë ndryshe transferimin e një pjese të parave të akumuluara te bankat mëma jashtë Shqipërisë.
Ndërkohë edhe bankat e tjera private me aksionarë shqiptare (bankat private shqiptare) vepruan në të njejtën formë, por në banka të mëdha të huaja.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të shtatorit totali i aktiveve jorezidente arriti në 346 miliardë lekë, me një rritje prej 10 miliardë lekësh krahasuar me muajin qershor.
Sektori bankar shqiptar shënoi një rritje të depozitave me rreth 23 miliardë lekë gjatë 3-mujorit të tretë. Nga këto, pjesa më e madhe, rreth 17 miliardë lekë, ishin në valutë të huaj.
Në këto kushte, duket se prurjet e reja të depozitave në valutë të huaj kanë shkuar kryesisht në vendosje jashtë vendit.
Kreditimi
Rritja e kreditimit të ekonomisë vendase gjatë 3-mujorit, me gjithë gjallërimin pas daljes nga karantina, ishte më i ngadaltë krahasuar me periudhën e parakrizës.
Portofoli neto i kredisë bankare u zgjerua me rreth 3 miliardë lekë. Në veçanti bankat më të mëdha, që zotërojnë edhe pjesën më të madhe në tregun e depozitave në valutë, mbajtën një qasje të kujdesshme në huadhënie gjatë kësaj periudhe.
Pavarësisht rritjes së 3-mujorit të tretë, pesha e aktiveve jorezidente të sektorit bankar ngelet në nivele relataivisht të ulëta krahasuar me periudhat e mëparshme, në rreth 22% të totalit. Në dy tremujorët e fundit, pesha e aktiveve jorezidente paraqitet në nivelet më të ulëta që prej vitit 2013.
Niveli i tyre më i lartë ishte regjistruar në fillim të vitit 2017, kur përbënin rreth 28% të aktiveve të sektorit bankar shqiptar. Duke qenë se këto aktive janë kryesisht në euro, nënçmimi monedhës europiane ndaj lekut ka bërë që statistikisht vlera e tyre e raportuar në lekë, por edhe pesha e tyre specifike, të bjerë.
Mbajtja e parave jashtë
Aktualisht, 52% e depozitave të publikut në sektorin bankar janë në valutë të huaj, por tregu i brendshëm nuk ofron alternativa të tjera të investimit të fondeve në valutë të huaj, përveç kredidhënies.
Raporti mes kredive dhe depozitave në valutë aktualisht është rreth 48%, çka tregon se më pak se gjysma e depozitave në valutë të bankave, janë dhënë kredi.
Duke hequr pjesën që mbahet në formën e rezervës së detyrueshme pranë llogarive të Bankës së Shqipërisë, për shumicën e fondeve të tjera në valutë duhet gjetur një zgjidhje për investimin ose mbajtjen e tyre jashtë vendit.
Në kushtet e normave reale negative të interesit, vendosjet jashtë përgjithësisht nuk sjellin përfitime për bankat tregtare.
Për të thithur likuiditetin e lirë në valutë të sektorit bankar, në raste të veçanta qeveria shqiptare emeton tituj në valutë të huaj në tregun e brendshëm. Madje, bankat shqiptare janë edhe ndër blerësit kryesorë të eurobondeve që Shqipëria emeton në tregjet e huaja.
/Burimi: BSH; Monitor.al/Përshtati: GazetaReforma.com/