Shqiptari Gjergj Pergegaj, 30 vjeç, është vrarë me armë zjarri mbrëmjen e së premtes në Arezzo të Italisë, pranë zonës Bivio di Olmo. Ngjarja ndodhi pak para mesnatës, në afërsi të një bari dhe restoranti, ku sipas mediave vendase dyshohet se konflikti kishte nisur fillimisht brenda lokalit.
Sipas raportimeve nga mediat italiane, autori i dyshuar, gjithashtu shtetas shqiptar, është arrestuar pak më vonë nga policia. Hetuesit po e shqyrtojnë ngjarjen si një krim me motiv pasional, ndërsa dyshimet paraprake lidhen me një konflikt që mund të ketë shpërthyer për çështje xhelozie dhe marrëdhëniesh personale.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal në Arezzo, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e vrasjes dhe dinamikën e përplasjes që përfundoi në mënyrë tragjike.







