Pandemia e koronavirusit mes shumë problemeve që i ka sjellë ekonomisë së vendit që me bllokimin e parë, ka sjellë një lehtësim të procedurave për marrje kredie bankare, si dhe një rritje të huamarrësve në sektor.
Edhe pse nga qeveria bankave private iu kërkua lehtësim procedurash dhe financim sidomos i bizneseve që do të kishin nevojë, duket se në dy vitet e fundit, kanë qenë më shumë individët që kanë përfituar.
Sipas ekspertëve, kriza që nisin që në vitin 2019 me tërmetet dhe pasoi këtë vit me pandeminë, bëri që shumë individë të hedhin sytë nga bankat për kreditim.
Vrojtimi i aktivitetit kreditues në 3-mujorin e tretë të vitit, tregoi se kushtet e përgjithshme për kreditë akorduar individëve u lehtësuan përsëri, menjëherë pas rihapjes së ekonomisë, ndonëse kërkesa ngeli më e ulët krahasuar me periudhën e parakrizës.
Sipas të dhënave të fundit të INSTAT-it, numri i individëve që kanë një kredi bankare në Shqipëri, është rreth 312 mijë persona përfitues.
Kreditë e individëve
Të dhënat tregojnë se gjatë vitit të kaluar numri i individëve me një kredi në bankë pësoi një rënie të lehtë, me rreth 1500 më pak krahasuar me vitin 2018.
Por, ndërsa numri i huamarrësve ka rënë lehtë, numri total i huave të tyre është rritur. INSTAT-i raportoi se, kreditë totale të individëve në fund të vitit të kaluar arritën në pothuajse 373 mijë, me një rritje prej 12 mijë huash më shumë, krahasuar me vitin 2018.
Sipas ndarjes gjinore, kreditë e marra nga burrat kanë një peshë më të larët, me 56.5% të totalit.
Këto shifra tregojnë se, baza e huamarrësve në sektorin bankar ka ngelur pothuajse e njëjta, por ata kanë përdorur më shumë kredinë si instrument për të financuar konsumin apo blerjen e pasurive të paluajtshme.
Klientët ekzistues dhe me rekorde të mira si kredimarrës përgjithësisht janë klientë të preferuar të bankave, sepse ekzistenca e një marrëdhënieje në kohë, i bën ata më të besueshëm.
Vlera e portofolit
Sipas Bankës së Shqipërisë, portofoli total i kredisë për individë ka aktualisht vlerën e 195 miliardë lekëve ose pothuajse 1.6 miliardë eurove. Në vlerë, portofoli dominohet nga kreditë për blerjen e pasurive të paluajtshme, që kanë afërsisht vlerën e 1 miliard eurove, ose rreth 64% të portofolit total të kredisë për individët.
Më pas vijojnë kreditë konsumatore dhe overdraftet, që së bashku arrijnë vlerën e 58 miliardë lekëve ose rreth 468 milionë eurove.
Segmenti i individëve në vitet e fundit ka shënuar një rritje të qëndrueshme të kreditimit, i mbështetur nga normat e ulëta të interesit dhe fokusit të lartë të bankave për t’u zgjeruar në këtë treg.
Statistikat tregojnë se, në harkun e pesë viteve të fundit, portofoli i kredisë për individë është zgjeruar me 26% ose rreth 40 miliardë lekë, ndërkohë që në rastin e biznesit portofoli është tkurrur me 41 miliardë lekë.
Anketimet e Bankës së Shqipërisë treguan se, vitin e kaluar bankat pranuan mbi 85% të aplikimeve për kredi të kryera nga individët. Huaja për individë ofron një shpërndarje më të mirë të rrezikut të kredisë dhe mundëson rritje afatgjatë të portofolit, sidomos në kreditë për blerjen e pasurive të paluajtshme.
Kreditë me probleme
Raporti i kredive me probleme u rrit lehtë për muajin shtator dhe arriti në 8.3%, nga 8.13% që kishte qenë për gushtin.
Raporti i kredive me probleme është rreth dy pikë e gjysmë më i ulët krahasuar vitin e kaluar dhe gjatë gjithë vitit 2020, ka qenë mjaft i qëndrueshëm në intervalin me 8.1% dhe 8.3%.
Megjithatë, gjatë 3-mujorit të tretë bankat kanë ndjekur një qasje më të kujdesshme dhe kanë rritur ndjeshëm provigjionet krahasuar me dy 3-mujorët e parë të vitit.
Por bankat, duhet ende të kuptojnë pasojat e valës së parë të Covid-19 në ekonomi, vala e dytë që po imponon vendosjen e kufizimeve të reja rrezikon të sjellë të tjera dëme për ekonominë dhe tërthorazi, edhe për sektorin bankar.
Duke qenë se masat e përkohshme rregullatore janë shfuqizuar, tashmë efektet e valës së dytë të pandemisë mund të përcillen më shpejt. Deri në mesin e këtij viti, bankat dhe institucionet financiare shtynë rreth dy miliardë euro portofol kredie, ndërsa një pjesë e huamarrësve vendosën të përfitonin edhe nga periudha e dytë e shtyrjes, në periudhën qershor-gusht.
Nëse ekonomia mbyllet sërish, Banka e Shqipërisë mund të vendoset para dilemës për të riaktivizuar masat prudenciale që mori në pjesën e parë të këtij viti.
Në pritje për të krijuar një ide më të qartë për faturën e krizës, sektori bankar në Shqipëri ka aktualisht 50 miliardë lekë ose rreth 400 milionë euro kredi me probleme.
Në pesë vitet e fundit, janë fshirë rreth 65 miliardë lekë kredi të humbura. Në përpjekje për të nxitur pastrimin e mëtejshëm të portofoleve, Banka e Shqipërisë vendosi shkurtimin e afatit për nxjerrjen jashtë bilancit të kredive të humbura, nga tre vjet në dy vjet.
Kjo pritet t’i japë një shtysë të re fshirjeve, sidomos në 3-mujorin e fundit të vitit, që është periudha kur bankat zakonisht ndërmarrin pjesën më të madhe të fshirjeve.
/Burimi: BSH; INSTAT; Monitor.al/Përshtati: Gazetareforma.com/