Ulja e numrit të operatorëve celularë në vend ka filluar që këtë vit të ndikojë në shtrenjtimin e paketave të komunikimit.
Operatorët celularë kanë rritur çmimet për paketat bazë të komunikimit me parapagesë me 100-200 lekë në dy vitet e fundit, por ndërkohë kanë ulur njësitë e përfshira të komunikimit në to, si një formë për të nxitur përdoruesit të lëvizin drejt paketave me çmim më të lartë.
Paketa bazë e komunikimit 30-ditor për të dy operatorët celularë kushton 600 lekë dhe është identike në përmbajtje, me 50 minuta komunikim kombëtar dhe 50 MB internet të përfshira.
Ndërkohë, paketa e radhës 30-ditore tashmë ka një çmim prej 1 mijë lekësh. Në One Albania kjo paketë përfshin 400 minuta kombëtare, 400 SMS dhe 1 GB internet. Në Vodafone Albania, kjo paketë përfshin 300 minuta kombëtare, 300 SMS dhe 1 GB internet.
Duke pasur parasysh se tashmë pjesa dërrmuese e përdoruesve zotërojnë smartphone dhe janë përdorues të rregullt të internetit nëpërmjet tyre, njësitë që ofrojnë dy paketat e para nuk janë të mjaftueshme për një përdorim optimal mujor.
Sipas statistikave të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), konsumi mesatar i internetit për çdo përdorues të telefonisë celulare në Shqipëri është afërsisht 7.5 GB në muaj.
Kjo kërkon blerjen e një pakete shtesë interneti, që kushton nga 500 deri në 800 lekë në muaj, në varësi të volumit dhe paketave të ofruara nga dy operatorët celularë.
Zgjidhja tjetër është kalimi në një paketë mujore universale me çmim më të lartë. Paketa e radhës 30-ditore kushton tashmë 1500 lekë në muaj. Në One Albania, kjo përfshin 4000 minuta kombëtare, 1000 SMS kombëtare dhe 10 GB internet. Në Vodafone Albania, paketa përfshin 2000 minuta kombëtare, 2000 SMS kombëtare dhe 10 GB internet.
Më tej, operatorët ofrojnë edhe paketa më të shtrenjta 30 ditore që kushtojnë deri në 2100 lekë.
Një tendencë të ngjashme po shfaqin edhe paketat mujore të abonimit me kontratë. Paketa më e lirë mujore për abonentët me kontratë tashmë kushton 900 lekë dhe për One Albania përfshin 400 minuta kombëtare, 400 SMS dhe 1 GB internet, ndërsa për Vodafone Albania 300 minuta, 300 SMS dhe 1 GB internet.
Për një komunikim të lirshëm, një abonent me kontratë duhet të kalojë në paketën e radhës që në One Albania përmban 5000 minuta kombëtare, 1000 SMS kombëtare, 10 Gb internet dhe kushton 1400 lekë në muaj për kontratat 12-mujore ose 1300 lekë në muaj për kontratat 24 mujore.
Në Vodafone Albania, plani kushton 1400 lekë në muaj dhe përfshin 2000 minuta kombëtare, 2000 SMS kombëtare dhe 10 GB internet.
Tregu i telefonisë celulare në Shqipëri është rikthyer tashmë në të njëjtën strukturë të vitit 2008, me vetëm operatorë në treg. Hyrja në treg e operatorit të tretë Eagle Mobile (Albtelecom) dhe më pas të operatorit të katërt, Plus Communication, solli rritje të konkurrencës dhe ulje të ndjeshme të tarifave të komunikimit. Por, këta dy operatorë nuk arritën asnjëherë të ishin fitimprurës.
Plus Communication doli nga tregu në vitin 2018, ndërsa Albtelecom u shit vitin e kaluar te grupi hungarez 4iG, që paralelisht bleu edhe operatorin tjetër, ONE.
Në vitet e fundit, edhe dy operatorët më të mëdhenj celularë kanë raportuar një performancë zhgënjyese. Këto rezultate mund të shpjegohen me rënien e të ardhurave nga terminimi, nevoja e larta për investime, shpenzimet e konsiderueshme të amortizimit, etj.
Sipas AKEP, për vitin 2022 Vodafone Albania, ONE dhe Albtelecom raportuan të tria raportuan rezultat financiar me humbje. Në këto kushet, operatorët po shtrenjtojnë çmimet, në përpjekje për të përmirësuar gjendjen e llogarive të tyre./ Monitor