Arti dhe kultura e një vendi është dinjiteti dhe pasqyra e një populli dhe ne për këtë jemi krenar, pasi kemi ende artistë që po bëjnë një punë të jashtëzakonshme.
Gjergj Leka êshtë nga kompozitorët më të vlerësuar, te cilin duket se po e shterojmë. Në një intervistë pë Panorama, Leka ka thënë se tashmë e ka humbur besimin se ky vend do të rregullohet, se këta njerëz që drejtojnë vendin një ditë do të ndryshojnë, megjithatë, këngën e këtij viti për Festivalin e 57-të të Këngës, e ka bërë pikërisht për veshët e tyre.
Intervista e plotë me Gjergj Lekën
Mund ta ketë tepruar pak me imazhe në klip, ku nënkupton burgun për politikën, por ka bërë atë që mendon. Bashkë me mesazhin që do të përcjellë, ka zgjedhur të përfshijë në klipin e tij edhe aktoren Margarita Xhepa, të cilën do ta shohim sot në mbrëmje. Pse? Gjergji na sqaron vetë…
Jo se në këtë vend nuk ka ngjarje frymëzuese për të krijuar një këngë që I bie qeverisë, megjithatë një moment i caktuar, për secilin, duhet të jetë. Ti në ç’moment e krijove këngën “Një ditë tjetër”?
Ti e di që unë kam bahçen time ku pres e përcjell miqtë. Tashmë nuk është vetëm për t’u mbledhur e festuar me ta, por funksionon edhe si biznes. Pikërisht aty, bashkë me miqtë e mi artistë, jam frymëzuar për të krijuar këngën “Një ditë tjetër”. Jo se unë nuk isha në dijeni më parë për varfërinë e tyre, por aty e kam prekur dhe e kam parë më nga afër. Kini parasysh që po flasim për ajkën e shoqërisë, njerëzit më të njohur e të dashur për vendin, që në një mënyrë kanë shërbyer për të gjithë, që të harrojnë hallet e tyre dhe sot nuk kanë para të hanë as një drekë. Kanë pensione qesharake, me ato para nuk mund të bëjnë asgjë, siç të gjithë të moshuarit e këtij vendi që nuk do të jetonin dot nëse nuk do t’i mbanin me para fëmijët, sepse përndryshe nuk do të blinin dot as ilaçet. Kjo më bëri që këtë këngë t’ua kushtoja pikërisht atyre, miqve të mi artistë, por edhe të gjithë të moshuarve, varfërisë!
Mendon që ka ndikim kjo mënyrë?
Në fakt, unë nuk mendoj që këtu mund të ndikojë më diçka për të rregulluar gjërat, por unë do përdor rrugën time, do bëj përpjekjen time, sido të jetë. Unë këngën kam në dorë, muzikën, përmes saj do flas, ta dëgjojë kush të dojë.
A nuk po penalizon veten për ca përpjekje, te të cilat nuk beson?
Kjo nuk ka rëndësi për mua. Pa dyshim që këngë të tilla, që synojnë mesazhin, sidomos në rastin kur janë thelbësisht politike, nuk kanë rrugë për veten e tyre, por unë nuk po shkoj në festival për të shkuar në “Eurovizion”, siç bëjnë prej vitesh kolegët e mi, nuk kam pasur ndonjëherë një qëllim të tillë. E bëra këtë këngë për të shërbyer për diçka, sado e vogël të jetë. Ata që vuajnë më shumë, ndoshta ndihen edhe të mbështetur, të përfaqësuar, edhe sikur kjo këngë të mos shërbejë për asgjë.
Pse nuk beson më te asgjë dhe askush?
Po sepse këtë njerëz që janë, ata që kanë qenë, ata që do vijnë pas tyre, se ngado të vërtitesh janë po ata, unë i njoh që fëmijë, me ta jam rritur. Çfarë mund të pres? Më të mirë nuk janë bërë, përkundrazi! Fut këtu edhe ndikimin që vetë politika ka te gjithsecili, rezultati vetëm sa përkeqësohet. Prandaj, nuk besoj më se mund të rregullohet diçka. Varfëria në këtë vend është alarmante, përtej të gjitha parashikimeve.
Nuk je vetëm në këtë këngë…
Për shkak të simbolikës, është zgjedhur një aktor që qëndron i maskuar, unë dhe një vajzë e vogël. Po zbuloj sot edhe surprizën e klipit të kësaj kënge, që është aktorja Margarita Xhepa. Edhe si përfaqësuese e brezit, por edhe e artistëve, që në fillim ishin frymëzimi i kësaj kënge. Natën e mbrëmshme u shfaq vetëm kënga, ndërsa sot do të jetë kulminacioni i saj, që shoqërohet me një videoklip që e bën edhe më të prekshme atë që unë dua të them.
U pranua lehtësisht kjo këngë nga institucioni i shtetit?
Për habinë time, u pranua. Kur e bëra, nuk mendoja se do ta pranonin, megjithatë, ja ku është. Kuptohet, pa pretendime, por e pranishme.
Teksti i këngës “Një ditë tjetër”
Që në vogëli
Në mendje më rri
Një shprehje kult nga një film i vjetër
Rossella O’hara që thoshte në fund
Nesër do të jetë një ditë tjetër
E mbajta në zemër
E gdhenda këtë varg
Ëndërrova, besova me ju miqtë e mi
Ne brezi i tretë
Që të tashmen jetojmë
Ne që e djeshmja na bëri magji
Eh ju që kujtoni çdo katër vjet
Që duart shtrëngoni ekraneve vetëm për t’u
dukur
Që edhe ëndrrat doni t’i blini me lekë
Nesër për ju, jo, nuk do të jetë ditë e bukur
Vitet kalojnë, ne prapë ju besojmë
Ne brezi i tretë, ne ‘Garda e vjetër’
Përralla fëmijëve u tregojmë gjithë siklet
Nesër do të jetë një ditë tjetër
Në kohë të gabuar u lindëm, u rritëm
Por nuk na trembi e djeshmja
As gardat me tela
Frikë më tepër na bën e sotmja
Kur dikush na përqesh se idhull për ne
U bë Vaçe Zela.
Rritëm fëmijët, por ëndrrat i vramë
Gëlltitëm me djersën dhe pikat e lotit
Ne brezi i tretë, që të tashmen jetojmë
Të nesërmen lamë në dorën e Zotit
Njerëzit dhe lulet
Plaken një ditë
Se jeta sjell gëzime e lot
Me shpresën e humbur, në çdo katër vjet
Heshtur largohemi ne nga kjo botë