Në një nga ndeshjet më të rëndësishme të Kombëtares shqiptare, jo vetëm që tifozët e saj më besnikë janë përjashtuar nga shkallët e stadiumit, por tani edhe gazetarët sportivë kanë mbetur jashtë. FSHF ka vendosur të mos akreditojë një pjesë të mirë të mediave, duke i zënë vendet e shtypit me “njerëz me kollare”, të cilët ndoshta nuk dinë të dallojnë as formacionin e Shqipërisë. Ky vendim tregon se kjo ndeshje nuk është më për popullin. Është për përfitim, për imazh, për klientë, për pazare.
Gazetari Lirim Zalla e tha troç: “Sonte në stadium do të shohim më shumë njerëz me kollare sesa me fanellën kuqezi. Janë zënë edhe akreditimet.” Dhe ka të drejtë për mijëra tifozë që kanë ndjekur kombëtaren në shi, në borë, në transfertë, por që këtë herë nuk do të jenë aty. Sepse FSHF ka vendosur që “dashuria” për kombëtaren të matet me email shorti, linke 24-orëshe dhe tarifa që i kalojnë standardet europiane. Në këtë realitet të ri, dashuria për fanellën kuqezi nuk ka më vend. Ka vend vetëm për ata që blejnë përmes agjencive të privilegjuara, që shesin biletat në treg të zi, që marrin ftesa si shpërblim për heshtjen ose për ndonjë selfie në tribunë.
E gjithë kjo është bërë për të larguar ata që zhurmojnë. Dhe sidomos ata që pyesin. “Tifozat Kuq e Zi” janë përjashtuar, sepse guxuan të kundërshtojnë bashkëpunimin me Serbinë për Euro 2027. Sepse nuk u pajtuan me heshtjen që mbulon këtë bashkëjetesë të stisur sipas tyre, mes Federatës dhe dhunuesve të së shkuarës. Edhe gazetarët që kanë ndjekur Kombëtaren në çdo cep të Europës, që e kanë ngritur zërin për skandalet e biletave, për përjashtimin e tifozëve, për çmimet absurde dhe mungesën totale të transparencës, tani janë jashtë loje.
Biletat, nga një formë pjesëmarrjeje popullore, janë kthyer në mall luksi. Nga 30 euro në faqe zyrtare, në 250, 500 apo edhe 1000 euro në rrjete sociale. Arrestimet janë vetëm kapaku i një tregu të tërë informal, që nuk ka lindur rastësisht, por nga toleranca dhe bashkëpunimi i atyre që e dinë fare mirë se ku shkojnë biletat.
Në këtë spektakël të deformuar, nuk fiton as sporti, as kombi, as ndjenja. Fiton vetëm përfitimi. Vetëm kontrolli. Vetëm heshtja. Dhe nëse kjo ndeshje do të mbahet mend për ndonjë gol, me siguri do të mbahet mend edhe për turpin që i është bërë atyre që e duan këtë ekip me mish e me shpirt. Kombëtarja ka mbetur peng i një federate që ka harruar se kujt i përket kjo fanellë. Dhe sonte, do ta kuptojmë më shumë se kurrë se kush është realisht i ftuar në këtë stadium dhe kush është përjashtuar nga vetë loja.