Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur sot nga Berati për krisjen e marrëdhënieve me Ilir Metën në kohën kur ishin në koalicion qeverisës. Rama tha se Meta i kishte vënë kusht që reforma në drejtësi të mos votohej. “Ilir Metës i jam falënderues sepse më ka bërë të njihem me një nga eksperiencat më të bukura që njeriut mund të ketë në të gjithë Shqipërinë, me kanionet. I jam falënderues që më ka futur në shtëpitë tuaja.
Nuk do doja kurrë që gjërat mes Ilir Metës dhe familjes socialiste, progresiste të kishin arritur në këtë pikë ku nuk ka kthim mbrapa, Në vitin 2009 Skrapari e bekoi Ilir Metën në një betejë që ai e nisi për një arsye të asaj kohe, ku u duk sikur partia që ai krijoi ishte aty për t’iu dhënë hapësirë dhe vend shumë njerëzve të mirë, të ndershëm dhe punëtorë që nuk ndjeheshin mirë, në shtëpinë e tyre në PS që pas shumë vitesh ishte mbyllur dhe kishte hyrë në një proces plakjeje dhe lodhje.
Patjetër në atë kohë sfida që bëri Ilir Meta ishte shumë e madhe. Në atë sfidë ishte Skrapari fuqia që i dha një shtytje shumë të madhe për të mos e humbur sfidën. Në atë kohë aty bashkë me të ishte edhe Spartaku dhe shumë të tjerë. Pastaj gjërat ndryshuan nën ndikimin Spartakut dhe shumë miqve të tjerë, dhe ndikimin tim për t’i dhënë të majtës një mundësi të re.
Ne u bashkuam dhe fituam. Pastaj përsëri u ndamë. Në 2009 ishte Skrapari që i tha vazhdo, Bëri të pabëshmen për Skraparin në radhë të parë, Shkoi dhe u bashkua me Saliun me një forcë që me Skraparin nuk ka pasur asnjë lidhje të brendshme përveç asaj lidhje ku ka gjithmonë një pjesë shumë të vogël që shkon në anë tjetër. Ilir Meta e ktheu Skraparin në një zonë kur peshorja u përmbys. Gjërat shkuan si shkuan me vullnet dhe dëshirë të mirë me bindjen se në fund të ditës gjërat e vogla nuk duhet të dalin para vendit u realizua një bashkim kur krijuam një qeveri shumë të fortë. Në atë qeveri kam pasur mundësinë të punoj me Nasipin. Koha e deshi që në atë qeveri të ndërmerrnin reformën më të vështirë, që më parë askush nuk kishte guxuar.
Nasipi ka qenë dëshmitar sa shumë lëvizte toka nën këmbët e asaj maxhorance për atë paketë. I jam shumë mirënjohës Nasipit që në asnjë moment nuk reflektoi krisjen që kishte filluar mes meje dhe Ilir Metës, në fakt mes Ilir Metës dhe reformës në drejtësi. U arrit në pikë kur gjërat u ndanë qartë. O Ilir Meta do votonte reformën o do prishej maxhoranca, Nuk kishte asnjë mundësi të bënim kompromis në dëm të reformën. Ilir Meta më ka thënë në Lalëz, sikur flota amerikane të vijë dhe t’i drejtojë tytat nga shtëpia ime. Ajo reformë nuk kalon. I thashë ato nuk do vijnë dhe ti reformën do ta votosh. Nuk pati nevojë as për flota, as për helikopterë. Ju e mbani mend, ka qenë një ditë e shënuar në demokracinë e shqiptarëve”, tha Rama.