Kontrolli i Lartë i Shtetit njoftoi të mërkurën se ka dërguar për ndjekje penale tetë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe dy të tjerë nga Agjencia e Koncesioneve, ATRAKO, për shkeljet e dyshuara ligjore në dhënien e kontratës së partneritetit publik privat të shërbimit laboratorik si dhe me një tender gjatë periudhës së pandemisë së COVID-19. Sipas një njoftimi të publikuar në faqen e KLSH, dhjetë zyrtarët u kallëzuan për veprën penale të “shkeljes së barazisë së pjesmarrësve në tendera apo ankande publike”.
“Nga auditimi i procedurës së koncesionit të lartpërmendur, janë evidentuar veprime të kundërligjshme të shtatë punonjësve, anëtarë të Kominisionit të Dhënies së Koncesionit/PPP, veprime këto që bien në kundërshtim me detyrimet ligjore që i atribuohet këtij komisioni, si dhe me dispozitat ligjore që normojnë procedurën e koncesionit në fjalë,” thuhet në njoftimin e KLSH.
Kontrata koncesionare “Për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjes” u firmos në 24 prill 2019 mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe konsorciumit të kompanive Labopharma me 41%, Exalab France me 25% dhe AB Laboratory Solution BV, një kompani e regjistruar në Holandë me 33% pjesë në konsorcium. Ky shërbim pritet t’u kushtojë taksapaguesve shqiptarë mbi 13 miliardë lekë ose 104 milionë euro në dhjetë vitet e ardhme dhe po operohet nga kompania koncesionare “Laboratory Network”.
Shkeljet në dhënien e kontratës PPP të laboratorëve janë pjesë e raportit të KLSH-së për buxhetin e vitit 2020. Sipas KLSH, komisioni i dhënies së koncesionit/ PPP ka refuzuar të marrë në konsideratë kundërshtimin e konsulentit IFC ndaj kualifikimit të konsorciumit që u shpall fitues.
IFC është akronimi i Koorporatës Ndërkombëtare të Investimeve, pjesë e Bankës Botërore. Sipas auditimit, IFC rekomandoi skualifikimin e konsorciumit fitues, nisur nga dyshimet se njëri prej operatorëve ekonomikë ishte në ndjekje penale në Spanjë, ndërsa njëri prej operatorëve nuk ka përqindjen e nevojshme të së drejtës së votës në kompaninë mëmë të tij. Sipas KLSH-së, në raportin përmbledhës të hartuar nga Komisioni i dhënies së Koncesionit nuk janë paraqitur kundërshtimet e IFC-së dhe nuk janë kryer hetimet e arsyeshme në përputhje me Dokumentet e Procedurës Konkurruese të miratuara. KLSH del në përfundimin se komisioni “duhej të kishte skualifikuar bashkimin e operatorëve të mësipërm”.
Përveç kontratës së shërbimit laboratorik, KLSH ka gjetur shkelje edhe në një tender për blerjen e respiratorëve gjatë emergjencës së shkaktuar nga COVID-19. Lidhur me këtë tender, janë kallëzuar në SPAK tre punonjës, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. KLSH ka konstatuar se ka pasur furnizim të vonuar ose mungesë furnizimi me respiratorë.
“Në përfundim u siguruan vetëm 5 respiratorë, nga 54 që ishte planifikuar nevoja për përballimin e situatës Covid, duke rrezikuar kështu shëndetin publik,” thuhet në raport.
Nga auditimi i fondeve të caktuara për përballimin e COVID-19, KLSH thotë në raportin përmbledhës për buxhetin e shtetit 2020 se ka pasur mungesë të konsistencës së kodeve të projekteve të dedikuara për përballimin e situatës, duke e bërë gjurmimin e realizimit të tyre të vështirë ose thuajse të pamundur.
Sipas auditimit, në këto fonde janë përfshirë edhe shpenzime operative për pagesën e energjisë, internetit, dietave e deri te lavanteria si dhe janë zbuluar raste të ndryshimit të destinacionit të fondeve në shumën 16.7 milion lekë./ Reporter.al