Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka konstatuar se Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) nuk ka ndërmarrë masa penale ndaj shoqërive të sigurimit, pavarësisht shkeljeve të përsëritura, duke ndikuar negativisht në rritjen e riskut në treg.
Në raportin vjetor për vitin 2024, i cili mbulon periudhën nga 1 janari 2021 deri më 30 dhjetor 2023, KLSH evidenton se Bordi i AMF-së nuk ka marrë masa ndëshkuese, ndonëse shkeljet ishin të vazhdueshme dhe situata financiare e këtyre shoqërive nuk ishte përmirësuar. Sipas KLSH-së, kjo ka rritur rrezikun në sektorin e sigurimeve.
Institucioni thekson se mosvendosja e gjobave për shkeljet e konstatuara ka krijuar një dëm të mundshëm ekonomik që varion nga 9.95 milionë lekë deri në 19.4 milionë lekë, duke ndikuar negativisht në rregullsinë dhe disiplinën e tregut.
Një tjetër problem i ngritur nga KLSH është mospërfshirja e interesit prej 6,948 mijë lekësh ndaj shoqërive të sigurimeve që nuk kanë plotësuar fondin e kompensimit. Mungesa e kësaj mase ka dobësuar fondin, duke rrezikuar mbulimin e detyrimeve të shoqërive ndaj të siguruarve.
KLSH gjithashtu shënon vonesa në përmbushjen e afateve për licencimin e subjekteve të reja në treg, si për klasat e sigurimeve të jetës, ashtu edhe ato jo të jetës, duke krijuar pengesa në hyrjen e operatorëve të rinj.
Raporti i auditimit i realizuar në AMF nuk është bërë ende publik nga KLSH, ndonëse përfshin konstatime për shkelje dhe qëndrime të subjektit të audituar.
AMF: 28 masa ndaj subjekteve në 2023
Në reagim, AMF deklaron se gjatë vitit 2023 janë marrë 28 masa ndaj subjekteve të mbikëqyrura. Këto masa, sipas raportit të dorëzuar në Kuvend, përfshijnë analiza të treguesve financiarë, inspektime në terren, pezullime dhe revokime të licencave.
Në sektorin e sigurimeve janë marrë 20 vendime, ku 13 prej tyre janë gjoba ose masa korrigjuese për shoqëritë e sigurimit dhe përfaqësuesit e tyre, ndërsa pjesa tjetër përfshin refuzime kërkesash dhe heqje licencash për brokerët.
Ndaj Byrosë Shqiptare të Sigurimeve janë marrë dy masa administrative. Në total, AMF ka arkëtuar 9.4 milionë lekë të ardhura nga gjobat për shoqëritë e sigurimit, por nuk ka raportuar të ardhura nga subjekte të tjera të mbikëqyrura. Krahasuar me një vit më parë, gjobat kanë rënë me 43%.
Sipas ligjit “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”, AMF mund të vendosë gjoba deri në 3 milionë lekë për shoqëritë, dhe deri në 500 mijë lekë për anëtarët e këshillit mbikëqyrës ose administratorët, në varësi të shkeljes.
Ligji përcakton se çdo sanksion me gjobë duhet të jetë efektiv, parandalues dhe proporcional me shkeljen. Gjithashtu, kërkohet që për shkelje të ngjashme të vendosen masa të njëjta.
Në tregun e titujve janë marrë tre vendime administrative, përfshirë një heqje licence dhe çregjistrim të një shoqërie, si dhe masa korrigjuese ndaj dy bankave që ofrojnë shërbime investimi.
Në tregun e fondeve të pensionit privat dhe investimeve kolektive, janë marrë dy vendime korrigjuese ndaj shoqërive administruese të fondeve. Sipas ligjit, gjobat për këto shoqëri mund të arrijnë deri në tre milionë lekë.