Gjykata e Apelit ka shtyrë për sot dhënien e vendimit për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, si dhe për biznesmenët Elman Abule, Shkëlqim Fusha, Gentian Sula dhe Meriman Palushi, të cilët kanë kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë.
Vendimi pritet të jepet në orën 10:00.
Sipas burimeve, shtyrja e seancës është bërë për t’i dhënë kohë trupës gjykuese që të shqyrtojë provat e reja të paraqitura nga prokurorët Ols Dado dhe Altin Dumani, si dhe kundër-argumentet e mbrojtjes dhe vetë Veliajt.
Seanca e ditës së djeshme
Edhe gjatë seancës së djeshme, Apeli i GJKKO-së nuk arriti të marrë një vendim për masën e arrestit ndaj Veliajt, duke e shtyrë atë për ditën e sotme.
Nga paraburgimi në Durrës, Veliaj u transferua në gjykatë nën masa të rrepta sigurie, duke mbërritur rreth orës 12:00.
Për rreth 3 orë e 30 minuta, ai debatoi me prokurorët e SPAK, të cilët paraqitën prova të reja, ku përfshihej edhe presioni i pretenduar ndaj hetuesve dhe ndikimi në media për të intimiduar procesin hetimor. Ndër këto prova u përfshinë edhe përgjime të reja.
Veliaj kërkoi që seanca të zhvillohej e hapur, por kërkesa e tij nuk u pranua. Në përfundim të përballjes mes palëve, trupa gjykuese njoftoi një seancë të tretë për sot, me qëllim shqyrtimin e materialeve të reja.
Ndryshe nga seanca e një dite më parë, ku Veliaj u filmua duke u futur në furgonin e policisë, kësaj here autoritetet morën masa për të shmangur ekspozimin e pamjeve të tij.
Ndaj kryebashkiakut të Tiranës vijojnë hetimet për korrupsion dhe pastrim parash. Ndërkohë, një prej biznesmenëve është në burg, ndërsa katër të tjerë, përfshirë bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa, janë me masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.
Seanca e së martës
Në seancën e së martës, Veliaj dhe biznesmeni Elman Abule, të cilët ndodhen në burg, kërkuan lirimin e tyre në këmbim të garancive financiare dhe bllokimit të pasaportave.
Avokatët e Veliajt, Ermir Beta dhe Artur Selmani, argumentuan se masa e arrestit duhet të hiqet, pasi sipas tyre, ai nuk përbën rrezik për të prishur provat apo për të ndikuar në dëshmitarët.
Nga ana tjetër, SPAK paraqiti përgjime telefonike dhe ambientale, ku Veliaj dyshohet se ka komunikuar me vëllain e tij, Arbër Veliaj, duke e udhëzuar të ndikojë në media për të nisur një fushatë kundër prokurorëve të çështjes. Këto të dhëna, të përfshira në dosjen e SPAK, u përdorën nga prokuroria për të mbështetur qëndrimin se Veliaj duhet të qëndrojë në burg.
Në bazë të këtyre provave të reja, avokatët e Veliajt kërkuan kohë shtesë për t’u njohur me materialet dhe për të përgatitur kundër-argumentet e mbrojtjes.
Lidhur me biznesmenët që ndodhen në masën “detyrim paraqitjeje”, në seancë ishte i pranishëm vetëm Shkëlqim Fusha, ndërsa Gentian Sula dhe Meriman Palushi u përfaqësuan nga avokatët e tyre. Mbrojtja kërkoi heqjen e kësaj mase sigurie për ta.
Seanca zgjati për rreth 7 orë dhe u drejtua nga gjyqtari Engert Pëllumbi.
Një detaj i rëndësishëm ishte prania e avokatit amerikan Joshua Roberts, përfaqësues i studios ligjore amerikane “Kasowitz Benson Torres LLP”, e cila këshillon Veliajn. Megjithatë, atij nuk iu lejua hyrja në sallën e gjyqit si vëzhgues.
Hetimi për çështjen Veliaj
Pas një hetimi njëvjeçar, SPAK ka ngritur akuza ndaj Erion Veliajt për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim (9 raste) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Nën hetim është edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, ndaj së cilës janë caktuar masat e sigurisë “Detyrim paraqitjeje” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”. Më parë, ajo kishte qenë në “arrest shtëpie”.
Po ashtu, me të njëjtën masë sigurie ndodhen edhe biznesmenët Fatmir Bektashi dhe Sokol Kryeziu.
Biznesmeni shqiptaro-belg Elman Abule është i dyshuar për pastrim parash në bashkëpunim, ndërsa biznesmenët Gentian Sula, Shkëlqim Fusha, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi dhe Sokol Kryeziu akuzohen për “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.
SPAK pretendon se Veliaj dhe Xoxa kanë krijuar një skemë përfitimi përmes organizatave dhe kompanive të kontrolluara prej tyre, duke përfituar të paktën 1.1 milionë euro në nëntë raste.
Ndër të tjera, Veliaj akuzohet se ka përfituar tre vila në një kompleks turistik në Qerret, ndërsa Xoxa dyshohet se ka shpenzuar rreth 800 mijë euro në blerje online, të cilat nuk figurojnë në deklaratat e saj financiare.
Sot pritet që Gjykata e Apelit të vendosë për masën e sigurisë ndaj Veliajt dhe të tjerëve të përfshirë në këtë çështje.