Ish zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka lëshuar akuza të rënda dhe tronditëse ndaj qeverisë Rama, duke zbërthyer në detaje atë që e cilëson si një nga aferat më të rrezikshme për shtetin shqiptar, skemën e kompanisë shtetërore KAYO. Ahmetaj deklaroi se KAYO nuk është projekt industrial, por një instrument financiar për devijimin e pasurive kombëtare dhe për kalimin e tyre te privatët, jashtë çdo kontrolli ligjor.
“Kjo është gallata tjetër, kjo është shpikje, ky është projekti KAYO. Ky nuk është projekt industrial, të dashur qytetarë. Ky është projekt financiar. KAYO nuk do prodhojë asgjë”, u shpreh Ahmetaj, duke paralajmëruar se pas fasadës së industrisë së mbrojtjes fshihet një mekanizëm grabitjeje.
Sipas tij, gjithçka nisi me ligjin nr. 88 të miratuar në korrik 2024, i cili krijoi KAYO-n si kompani 100 për qind shtetërore me objekt prodhimin dhe tregtimin e armëve dhe municioneve.
“Në letër ishte modernizim i industrisë së mbrojtjes. Në praktikë, ky ligj u bë baza formale për përdorimin e pasurive shtetërore si kapital privat, jashtë çdo mbikëqyrjeje parlamentare”, tha Ahmetaj.
Ai renditi një seri vendimesh të Këshillit të Ministrave, VKM 230, 231 dhe më pas 322, të cilat sipas tij ndryshuan thelbin e kompanisë. “Zgjeruan fushën e veprimtarisë së KAYO-s përtej ligjit themelues, gjë që nuk lejohet. Nga prodhues ushtarak e kthyen në operator tregtar me partnerë privatë. Lejuan përdorimin e truallit, ndërtesave, depove dhe infrastrukturës ushtarake publike si kontribute në kompani të përbashkëta me privatë”, deklaroi Ahmetaj.
Akuza më e fortë lidhet me anashkalimin e ligjit të prokurimit publik. “I dhanë KAYO-s të drejtën të zgjedhë partnerë me negocim të drejtpërdrejtë. Ku keni parë këtë? Kështu pasuritë kombëtare përdredhen me një kompani të krijuar nga qeveria”, tha ai, duke theksuar se u hoq çdo detyrim për transparencë, konkurrencë dhe raportim financiar publik.
Ahmetaj theksoi se skema shkon edhe më tej. “Nga 100 për qind shtetërore shkon në 45 për qind, pastaj në 20 për qind. Shteti humbet të drejtën e vetos. KLSH nuk mund të auditojë më asnjë kompani bijë. Pasuria publike kthehet në kapital privat pa asnjë procedurë privatizimi. Dhe kompanitë private nën umbrellën e KAYO-s marrin kontrata ushtarake pa tender”, deklaroi ai.
Në pjesën më pikante të denoncimit, Ahmetaj përmendi emrin e Ron Yeffet, duke e lidhur drejtpërdrejt me këtë aferë.
“Është i njëjti person që ka qenë partner tek ‘Air Albania’. I njëjti person që ka dashur t’i jepet terreni dhe ambasada jonë në New York. I njëjti person që ka tentuar t’i jepet borxhi publik dhe unë e refuzova. Tani bëhet partner kryesor privat tek KAYO. Kjo është aferë korruptive”, u shpreh Ahmetaj.
Ai paralajmëroi se rreziku nuk është vetëm financiar, por edhe për sigurinë kombëtare, duke përmendur bashkëpunimin me Elbit Systems, e cila sipas tij është nën hetim nga NATO dhe autoritetet belge për korrupsion në kontratat ushtarake. “Kemi kapje komplete të shtetit, rrezik të industrisë ushtarake dhe devijim të fondeve të buxhetit të shtetit”, deklaroi Ahmetaj.
Në fund, ai solli si shembull edhe projektin e Akademisë së Aviacionit në Vlorë. “Akademia e Aviacionit në Vlorë pa aviacion, me një helikopter. Bëhet fjalë për terrenin dhe asetin. KAYO afron infrastrukturë publike, fonde dhe garanci shtetërore, ndërsa privati merr kontrollin dhe përfitimin. Le ta investigojnë gazetarët”, përfundoi Ahmetaj.









