Katër vjet më vonë, vrasja e Klodian Rashës vazhdon të jehojë në ndërgjegjen tonë kolektive. Por heshtja e institucioneve po bëhet më vrasëse se plumbi që i mori jetën atë natë dhjetori.
Në mbrëmjen e 8 dhjetorit 2020, plumbi i një efektivi të policisë së shtetit i mori jetën një 25-vjeçari të paarmatosur. Por sistemi nuk u ndal me kaq. Si një makineri fshirjeje, të njëjtët njerëz që kanë si mission mbrojtjen e qytetarëve dhe duhej të zbardhnin krimin, u vunë në lëvizje për ta errësuar atë. Një pistoletë u shfaq mistershëm pranë trupit të Klodianit – dëshmia e parë e një krimi të dytë, atij të manipulimit të së vërtetës.
Sot, historia përsëritet si një tragjedi groteske. Martin Cani është emri i ri në listën e viktimave të një sistemi që vret dy herë – njëherë me plumb dhe pastaj me heshtje. Pamjet mungojnë, provat manipulohen, drejtësia fle gjumë të thellë, ndërsa kryeministri shpall vetë verdiktin në vend të drejtësisë.
Dënimi i efektivit Hajdaraj me 12 vite burg është vetëm maja e ajsbergut në një det të thellë korrupsioni institucional. Ndërsa një polic futet në qeli, orkestra e manipulimit vazhdon të luajë të njëjtën melodi. Kush e vendosi pistoletën? Kush urdhëroi fshehjen e provave? Kush i mbylli sytë?
Heshtja bëhet bashkëfajtore. Çdo ditë që kalon pa u zbardhur e plotë e vërteta, sistemi vazhdon të mbulojë krimin. Historia përsëritet sot me Martinin, në të njëjtën mënyrë – me të njëjtat justifikime, të njëjtat heshtje, të njëjtat manipulime.
Dorëheqja e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj ishte vetëm një sakrificë ceremoniale në altarin e një opinioni publik të trazuar. Pensioni special dhe titulli i dëshmorit janë thërrime ngushëllimi për një familje që kërkon vetëm të vërtetën.
Jetojmë në Shqipërinë ku uniforma është më e fortë se ligji, ku provat zhduken më shpejt se plumbat, dhe ku drejtësia është luksi që të varfrit nuk mund ta përballojnë kurrë. Nga Klodiani te Martini, rruga është e njëjtë – e shtruar me gënjeshtra zyrtare dhe heshtje vrasëse.
Katër vjet pas asaj nate dhjetori, shqetësimi mbetet i njëjtë: Sa Klodianë të tjerë duhet të bien para se sistemi të ndryshojë? Sa Martinë duhet të humbin jetën para se të vërtetat të dalin nga sirtarët e mbyllur të institucioneve tona?
Ndoshta është koha të kuptojmë se heshtja jonë është plumbi i fundit në këtë ekzekutim të zgjatur. Çdo ditë që pranojmë të heshtim, bëhemi pjesë e një sistemi që vret dy herë – njëherë me plumb dhe pastaj me harresë.
/gazetareforma.com