Të gjithë karburantet që shihni në foto i bashkojnë disa gjëra me njëra tjetrin. Përveçse siç duket shesin karburant në mes të pallateve, këto subjekte kanë kaluar një procedurë të dyshimtë dhe fiktive për tu licensuar nga Ministria e Mjedisit.
Por çfarë është ky licensim nga Ministria e Mjedisit që qënka kaq i rëndësishëm?
Sipas denoncimit dhe informacionit që një inspektor mjedisor përcolli pranë redaksisë sonë çdo subjekt qoftë fast food, pastiçeri, bar kafe, furrë buke, servis automjetesh, restorant, karburante, gurore, pika intertesh, pika skrapi, varrezat e makinave etj duhet të pajiset me leje mjedisi.
Kjo leje mjedisi që hartohet nga studio private dhe më pas miratohet nga drejtuesit e mjedisit të qarkut, ndër të tjera përmban edhe atë që quhet VNM. Thënë shqip, Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis.
Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis përfshin një sërë komponentësh që certifikohen që më pas aktiviteti të lejohet të funksionojë. E ndër të tjera një ndër dokumentet që i bashkangjitet Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis është edhe konsultimi me publikun. Pra me komunitetin që është në zonën dhe preket ose jo në mënyrë direkte nga zhvillimi i këtij aktiviteti.
Sipas informacioneve të redaksisë së priza.al të gjitha karburantet që sot po publikohen me foto, janë pajisur me leje mjedisi fiktive, duke falsifikuar disa komponentë. Siç janë firmat e banorëve apo kushtet e sigurisë.
Në bazë të këtij informacioni të mbërritur dhe të verifikuar nga redaksia jonë, pyesim publikisht Ministrinë e Mjedisit:
Si janë pajisur me leje mjedisore këto “bomba” në mes të lagjeve?
Cilat janë kompanitë që hartuan Raportet e Ndikimit në Mjedis?
Cilët janë inspektorët që kanë qënë prezent gjatë konsultimit me publikun?
Firmat që janë nëpër procesverbale a janë realisht të banorëve apo janë falsifikuar?
Në rast se ndodh një tragjedi si do të justifikoheni? Subjekti ishte në rregull se kishte leje mjedisi? /Priza.al