Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, në emisionin “Now” me Erla Mëhillin, ka zbuluar detaje të reja lidhur me vrasjen e Klajdi Prendit, djalit të ish-gjyqtarit Fran Prendi.
Karamuço tregoi se Prendi, i cili u ekzekutua me 5 plumba nga një atentator që përdori një armë me silenciator, kishte qenë në një lokal në shoqërinë e dy efektivëve të Policisë së Shtetit.
Pas daljes nga lokali, ai u ndoq dhe u qëllua për vdekje nga atentatori, i cili u largua me një makinë.
Sipas Karamuços, nuk kishte asnjë prezencë policore në zonën ku ndodhi ngjarja, dhe për shkak të armës së përdorur me silenciator, askush brenda lokalit nuk dëgjoi të shtëna. “Arma ka qenë e vogël, me silenciator. Ata që ishin në lokal mund ta kenë parë kur është rrëzuar, pasi nuk kanë dëgjuar zhurma,” tha ai.
Karamuço shtoi se atentati është realizuar nga një grup prej tre personash: një shofer dhe dy ekzekutorë.
“Sapo kanë parë që ka dalë nga lokali, e kanë ndjekur nga pas dhe e kanë ekzekutuar,” shtoi eksperti.
Ai gjithashtu zbuloi se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) po verifikon informacionin paraprak se i ndjeri ishte ulur në tavolinë me dy efektivë policie pak para atentatit. Ky detaj është ende në fazën e verifikimit.