Detaje të reja janë zbuluar pas publikimit të miliona faqeve dokumente nga dosjet hetimore mbi Jeffrey Epstein, të deklasifikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë. Mes materialeve të reja del edhe një email i datës 25 maj 2012, i cili tregon se Thorbjørn Jagland, në atë kohë Sekretar i Përgjithshëm i Këshilli i Europës, i kishte dërguar një mesazh Epstein pas një vizite zyrtare në Shqipëri.
Në komunikimin elektronik, Jagland shkruan shkurt: “Kam qenë në Tiranë, vajza të jashtëzakonshme”. Emaili mban datën 25 maj 2012, një ditë pas vizitës zyrtare të Jagland në Shqipëri, e zhvilluar më 24 maj 2012, sipas axhendave dhe burimeve publike.
Emaili i publikuar nuk përmban detaje mbi takime private apo aktivitete jashtë programit zyrtar. Komenti i përfshirë në këtë komunikim privat nuk shoqërohet me shpjegime apo prova që të tregojnë ndonjë vijimësi konkrete përtej këtij mesazhi.

Gjatë vizitës zyrtare në vitin 2012, Jagland raportohet se ka zhvilluar takime institucionale me Edmond Haxhinaston, ministër i Jashtëm i kohës, Sali Berisha, kryeministër, dhe Bamir Topi, president i Republikës. Vizita ishte pjesë e angazhimeve të Këshillit të Europës në Shqipëri.
Jeffrey Epstein është një figurë e përfshirë në skandale të rënda ndërkombëtare. Çështja e tij nisi në vitin 2008, kur ai arriti një marrëveshje me prokurorët në Florida pas akuzave për abuzim seksual ndaj një vajze 14 vjeçare. Në vitin 2019, Epstein u arrestua sërish, kësaj here nën akuzën e drejtimit të një rrjeti të vajzave të mitura për shfrytëzim seksual. Ai vdiq në burg ndërsa priste gjyqin dhe vdekja e tij u shpall zyrtarisht vetëvrasje.
Pas marrjes së detyrës nga Donald Trump në shkurt 2025, Departamenti Amerikan i Drejtësisë dhe FBI publikuan fazën e parë të asaj që u quajt “dosjet e deklasifikuara të Epstein”. Ky publikim përfshinte 341 faqe dokumente, ku pjesa më e madhe e informacionit ishte tashmë e njohur, përfshirë regjistrat e fluturimeve me avionin privat të Epstein dhe një version të redaktuar të librit të tij të kontakteve.
Në dokumentet e publikuara gjatë vitit 2024 përmenden dhjetëra figura të njohura publike si miq, bashkëpunëtorë apo edhe viktima të Epstein, përfshirë Prince Andrew, Bill Clinton dhe Michael Jackson. Asnjëri prej tyre nuk është akuzuar zyrtarisht për ndonjë krim të lidhur me çështjen Epstein.







