Ditën e sotme është zgjedhur kryeministri i ri i Kosovës.
Sikundër ishte parashikuar Avdullah Hoti nga radhët e Lëvizjes Demokratike të Kosovës u votua sot me 61 vota pro, 24 kundër dhe vetëm një votë abstenim, duke marrë votëbesimin e Kuvendit dhe tashmë do të drejtojë qeverinë e re.
Bilall Hoti, mësuesi i kryeministrit të ri, sot ka folur për ish-nxënësin e tij, duke ndarë detaje të reja rreth fëmijërisë së Hotit në një intervistë për Klan Kosova.
Sipas tij, kreu i ri i qeverisë së Kosovës ka qenë një nxënës i mirë, shembullor dhe i edukuar.
“Po ndihem mjaft mirë që një nxënës i shkollës tonë ka arritur të bëhet kryeministër. E kujtojmë si një nxënës mjaft të mirë, i edukuar dhe që ka qenë gjithmonë i përgatitur. Asnjëherë s’ka pasë katërshe, por vetëm pesëshe”.-tha ai.
Përveç fjalëve të mira, mësuesi i Hotit ka ndarë me publikun edhe vështirësitë financiare që ka patur ai dikur gjatë shkollimit.
Ai tregon se familja e kryeministrit të ri merrej me bujqësi dhe Hoti shkonte me dele, ku edhe merrte librat me vete e lexonte, teksa shtonte si është rritur me vështirësi dhe me skamje.
“Familja e tij është marrë me bujqësi dhe kur Hoti ka shkuar edhe me dele, librin e ka pasë me veti. E kam parë vetë sepse nga ajo e anë e kam fushën, por edhe e njoh si kushëri. Si arsimtarë gjithmonë iu kemi thënë familjarëve të tyre që të shkollojnë sepse nuk i kanë mundësitë. Avdullahu si nxënës edhe si student gjithmonë u rrit me vështirësi dhe me skamje. S’i ka pasë kurrë kushtet e mira për shkollim, por ka pasë interesim të madh për mësim dhe ia ka arritur”.-tha ai.
Avdullah Hoti, përpara se të propozohej kandidat për kryeministër, ka qenë ministër i Financave.
Hoti ka studiuar menaxhment dhe informatikë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës gjatë viteve 1994-1998, ndërsa studimet e magjistraturës (2001-2002) dhe të doktoratës (2003-2007) për ekonomi i ka përfunduar në Staffordshire University, në Britani të Madhe.
Më 2008 është certifikuar nga Staffordshire University për metoda hulumtuese dhe mentorim të studentëve të doktoratës.
Hoti ka filluar angazhimet në politikë gjatë viteve 2006-2007, kur ka qenë Këshilltar i Lartë i Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës.
Gjatë viteve 2008-2009, ka qenë Këshilltar për Ekonomi i Kryetarit të Komunës së Prishtinës.
Nga 2010 deri në 2013 ka qenë nënkryetar i Komunës së Prishtinës.
Në qershor 2014, është zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kurse sot mban postin e kryeministrit të Kosovës.