Juri Kim dhe Etilda Gjonaj zëvendësojnë marrëveshjen e Faik Konicës me qeverinë e SHBA për ekstradimet. Një traktat mes Shqipërisë dhe SHBA ekzistonte që nga viti 1933. Mbi bazë të saj kanë operuar të dy shtetet deri më sot, përjashtuar periudhën e regjimit komunist, kur ishin ndërprerë marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve.
Por sot, në një ceremoni gati solemne, dy zonja, Juri Kim ambasadore e SHBA dhe Etilda Gjonaj, ministre e drejtësisë, po firmosin marrëveshjen e re, një shekull më pas. Marrëveshja e parë ishte firmosur në emër të qeverisë shqiptare nga Ministri fuqiplotë në SHBA, Faik Konica.
Në këtë marrëveshje të re, janë përfshirë të gjitha modalitetet për realitetin e ri mbi të cilin operon krimi I organizuar dhe korrupsioni. Sipas këtij dokumenti, palët bien dakord që të jenë aleatë në luftën ndaj krimit, me shkëmbim jo vetëm të informacionit, por edhe të personave të inkriminuar të të dy vendeve, nëse kanë çështje të tilla.
Në marrëveshjen e re, janë përfshirë edhe kategorizimi i veprave të reja penale për personat që duhet të ekstradohen.
Marrëveshja e vjetër përfshinte vetëm 6 faqe, dhe aty janë përcaktuar edhe veprat penale për të cilat kërkohej ekstradimi i shtetasve.
Ambasadorja Yuri Kim ka vlerësuar firmosjen e marrëveshjes së ekstradimit mes SHBA-ve dhe Shqipërisë.
Gjatë fjalës së saj ambasadorja deklaroi se kjo marrëveshje është dëshmi e një partneritetit të gjatë mes dy vendeve, që sipas saj godet kriminelët që fshihen pas kufijve.
“Është nder i madh për mua që të nënshkruajmë këtë traktat, mes SHBA dhe Shqipërisë, që është dëshmia e fundit e partneritet mes dy vendeve. Ky traktat u nënshkrua 87 vite më parë, në 1 mars 1933. Kjo ishte një kohë kur Shqipëria ishte Mbretëri, dhe jo Republikë. Ky traktat siguron një kornizë për t’u përballur me krimin. Ky traktat siguron një armë të fuqishme për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së kriminelëve, që fshihen pas kufirit. Personat e kërkuar për ndjekje penale për një krim të ekstradueshëm do të dorëzohen sipas kushteve të këtij traktati. SHBA ka luajtur rolin si një partnerë efikase. Sa më efikase të jetë Shqipëria për të ndjekur krimin ndërkombëtar, do të jetë afër integrimit. SHBA do të jenë afër Shqipërisë, pavarësisht sfidave që përballet. Mbështesim punën e Prokurorisë së Posaçme. Ne po punojmë dhe me BKH, duke ndihmuar në zgjedhjet më të mira, për të gjetur hartuesit me të mirë. Suksesi i SPAK nuk është vetëm çka SHBA presin, por është edhe ajo që shqiptarët duan. Vlerësoj marrëveshjen e ekstradimit mes vendeve dhe shpresoj se do të zbatohet shumë shpejt. Partneriteti ynë është jetë gjatë, miqësia jonë është e përhershme.”, tha Kim.
Në fjalën e saj Ministrja e Drejtësisë, Gjonaj u shpreh:
“Marrëveshja e re zëvendëson traktatin dy palësh të ekstradimit i firmosur nga Faik Konica. Kjo marrëveshje është rezultat i një punë të gjatë dhe një bashkëpunimi shumë të ngushtë. Me marrëveshjen e re realizojmë përditësimin dhe kategorizimin e veprave penale mbi bazën e të cilave kërkohet ekstradimi. Një hap i rëndësishëm përpara në luftën kundër krimit.
Marrëveshja shërben si një sinjal i qartë dhe i vendosur ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, se askush nuk do të gjejë asnjë strehë për t’iu shmangur zbatimit të ligjit penal në SHBA apo në Shqipëri”.
/Gazetareforma.com/