Jozefina Topalli, drejtuesja e “Lëvizjes për ndryshim” tregon tre fazat e shkëputjes së saj nga PD. Ajo tha se vendosi të sjellë tani partinë e saj të re sepse situata është e vështirë.
Në një intervistë për TV1 Channel, Topalli është shprehur se ka kaluar tre faza të rëndësishme para se të sillte projektin e saj politik.
“Faza e parë ka qenë beteja brenda Partisë Demokratike pasi nuk e toleroja të shihja që udhëheqësi i Partisë Demokratike, teksa ishim në opozitë të mos bënte asgjë dhe asnjë betejë kundër kundërshtarit politik në qeveri, pasi kishte një pazar që nuk mund ta imagjinoja.
Faza e dytë ka qenë ajo jashtë grupit, kur na dëbuan jashtë klasës politike, pasi bëmë betejën kundër dekriminalizimit. Unë nuk kam heshtur kurrë as atëherë kur dogjën mandatet si një lloj largimi nga fusha e betejës me kundërshtarin dhe çfarë është më e paimagjinueshmja dhënia e pushtetit vendor kundërshtarit tonë politik.
Në fund është edhe faza e tretë që unë duke shpresuar dhe besuar fort që me një drejtim të ri të pakorruptuar të forcës politike do ta kishim rrëzuar Ramën prej vitesh dhe nuk do të kishim arritur këtu ku jemi sot, duke parë që asgjë nuk lëviz më kështu njeriu merr vendimin sepse në politikë duhet të kesh veprim pasi nëse nuk zbret në fushën e betejës do të shikosh vendin tonë të gremiset”, u shpreh ajo.
Ndërkohë, e pyetur nëse ish-kryeministri Berisha e ka uruar për “Lëvizjen për Ndryshim”, ajo tha “Sali Berisha nuk më ka uruar, por ka thënë diçka të rëndësishme gjatë kësaj periudhe, që thelbi i lirisë është zgjedhja dhe respektimi i zgjedhjes është themelore për njerëzit që besojnë tek demokracia, zgjedhjet pastaj secili i ka të vetat”. Topalli tha se më 25 prill, do të kandidonte në Shkodër, ndërsa mediat e kishin keqkuptuar duke njoftuar se di të garonte në Tiranë.
/GazetaReforma.com/