Deputeti Kujtim Gjuzi në një intervistë për “Dosja.al” është shprehur se është i gatshëm që të mos lejojë zhvillimin e zgjedhjeve në çdo mënyrë që të jetë e mundshme.
Ai gjithashtu ka treguar mesazhet që ka këmbyer me kryeministrin Edi Rama, ku ky i fundit i ka shprehur qartazi se në 30 qershor do zhvillohen zgjedhjet e planifikuara me kohë pavarësisht çdekretimit nga Meta.
“Ramës i kam thënë se nuk mundesh të bësh zgjedhjet për të marrë 61 bashkitë, sepse i bie që ju do të jeni Kolonel Gadafi, dhe mua do të më keni përballë jo vetëm kështu me fjalë, por do të më keni edhe me veprime të tjera që janë më të serta dhe më të forta të Partisë Konservatore”, u shpreh Gjuzi.
Pjesë nga intervista me deputetin Kujtim Gjuzi:
Çfarë keni diskutuar me Ramën? A mund ta dimë përmbajtjen e mesazheve?
Ramës i kam thënë se nuk mundesh të bësh zgjedhjet për të marrë 61 bashkitë, sepse i bie që ju do të jeni kolonel Gadafi dhe mua do të më keni përballë jo vetëm kështu me fjalë, por do të më keni edhe me veprime të tjera që janë më të serta dhe më të forta të Partisë Konservatore.
Mua s’më mungon asgjë dhe as Partisë Konservatore nuk i mungon asgjë në të gjithë veprimin e saj opozitar. Ne jemi parti opozitare, jemi parti parlamentare në këtë moment, sipas marrëveshjes me Partinë Demokratike, të majit 2017.
Kemi të gjithë të drejtën tonë legjitime që të bashkëbisedojmë me maxhorancën, të bashkëbisedojmë me Sali Berishën, them me Sali Berishën, sepse të tjerët janë ‘nul’ për mua te Partia Demokratike. Kjo pasi nuk janë bërë zgjedhje të rregullta, ka pasur kontestim masiv të të gjithë demokratëve.
Unë me demokratët jam si vëllai i tyre më i vogël, apo më i madhi si të duan ata të më quajnë mua, edhe kur ata më fyejnë ose më shajnë. Ata janë vëllezërit e mi demokratë, që kemi vuajtur gjatë sistemit të diktaturës.
Po përgjigjja e Kryeministrit Rama ndaj mesazhit tuaj si ishte?
Përgjigjja e Ramës ishte se “Unë do t’i bëj zgjedhjet me datën 30”. Atëherë unë i thashë: “Rama ti nuk do të mundesh t’i bësh zgjedhjet dot siç do ti, se kjo do marrëveshje të gjerë”.
Ne prisnim nga Presidenti i Republikës që të thërriste forcat parlamentare politike në radhë të parë, pastaj partitë që kanë lënë parlamentin, dhe pastaj të thirrte dhe Partinë Socialsite, jo të bëjë Presidenti diversion e të sillet sikur të jetë kryetari i LSI-së. Nëse do që të jetë kryetari i LSI-së, Partia Konservatore i ka thënë: “Jepe dorëheqjen tani, nesër është vonë”.