Avokati i Elidon Çelës, shoferit të autobusit që u kap me 522 mijë euro të padeklaruara ka dhënë një deklaratë për mediat ku është shprehur se klienti i tij është një emigran i cili ka puuar për 27 vite jashtë dhe ka biznese. Pra sipas tij paratë e klientit të tij janë të pastra dhe synimi pse i solli në Shqipëri ishte që të bënte investim këtu.
Sipas avokatit Gramoz Lika, deklaroi se do e apelojnë vendimin.
“Për sa i përket shoferit i cili i kishte sjellë nga shteti italian në pikën e kalimit shumën prej 520 mijë eurosh, gjykata vendosi ta lërë në burg, për faktin se duhet të provojë nëse i ka këto lekë me djersë e me mund apo i ka në rrugë të tjera. Shoferi pretendon se ka 27 vite që punon në shtetin italian, familjarisht, lekët i ka kursime ndër vite dhe i kishte sjellë t’i investonte në Shqipëri, por gjithsesi këtë do ta zgjidhë hetimi.
Të dy ndihmësit e tjerë, shoferët që i kishte u lanë të lirë nga gjykata pasi doli se nuk kanë lidhje as me paratë, as me sendet e tjera që janë gjendur në autobus. Janë disa sende që mund të diskutohet që mund të paguhet për to akcizë, sende pa vlerë, siç janë ndonjë shishe verë, janë ilaçe për kalamaj, karroca, sende që nuk përbëjnë ndonjë vlerë të madhe as për shtetin, as për shoferin. Gjithsesi fakti që u ngrit dyshimi për veprën penale për pastrim të produkteve të veprës penale, shoferi do të qëndrojë në masën e sigurisë arrest me burg deri në sqarimin e rrethanave. Gjithsesi vendimi është objekt ankimi në Gjykatën e Apelit.
Ai po i sillte nga Italia se i ka fitim të 27 viteve. Ka biznes atje, ka punë të ndryshme atje, ka punuar në Itali, ka shitur, ka blerë. Shoferi kishte pretendime se ka pushtetarë tha që ia vjedhin shtetit dhe nuk i lë njeri në burg, 4 mln euro, jo të më lërë mua në burg për 520 mijë euro që i kam të miat. Gjithsesi kështu mendoi gjykata, kështu mendoi prokuroria dhe shoferi do të rrijë i paraburgosur deri sa situata të zgjidhet, ose Gjykata e Apelit të marrë një vendim ndryshe”, tha avokati.