Edi Rama kërkon të fitojë më çdo kusht zgjedhjet e ardhshme në Durrës. Kjo duket në afrimin e Lefter Kokës në PS. Ish-ministri i LSI-së është një person me peshë të madhe politike në qarkun e Durrësit.
Koka, që më parë ka qenë kryetar i bashkisë së Durrësit (2003 – 2007) duke përfaqësuar PS, vendosi që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, t’i bashkohej Lëvizjes Socialiste për Integrim, të drejtuar nga Ilir Meta. Në ato zgjedhje Koka përfaqësoi votuesit e Qarkut Durrës ku kishte një mbështetje shumë të madhe për shkak edhe të familjes së tij.
Pas disa vitesh nën siglën e LSI, ku shërbeu dhe si ministër Mjedisi gjatë koalicionit qeverisës PS-LSI, Koka nuk pranoi që të dorëzonte mandatin e deputetit një vit më parë duke dalë kundër kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhit dhe gjithë opozitës.
“Nuk kam motiv për të djegur mandatin”, deklaroi Koka në atë kohë, ndërsa konfirmoi se do vazhdojë të jetë deputet i LSI.
Lefter Koka deklaroi se do të jetë një votues i PS, duke iu afruar socialistëve dhe tashmë pritet të kandidojë për deputet për PS-në.
Koka ishte ministër i Mjedisit në qeverinë “Rama I” dhe për këtë kryeministri e vlerësoi gjatë ditës së sotme në takimin e Durrësit, e kjo sa i përket vendimit për impiantet dhe për heqjen e pastrimin e Durrësit nga mbetjet e Porto Romanos. Ministri Koka ka firmosur edhe për projektet e inceneratorëve, konkretisht për atë të Elbasanit.
“Me Lefterin kemi punuar bashkarisht për këto projekte kur ishim në aleancë. Opozita po degradon thellë e më thellë. Monika dhe Iliri e kanë kthyer Durrësin në një stacion hakmarrjeje imagjinare. Ata që votojnë për PD-në do të kenë Monikën dhe Ilirin peshqesh. Atyre u duhet shpjeguar pse duhet ta refuzojnë këtë ofertë katastrofike për vetë PD-në”, theksoi Rama.
/GazetaReforma.com/