Ish-kreu i bandës së Çoles në Vlorë gjatë vitit 1997, Myrteza Çaushi, i njohur si Zani, është shfaqur sërish në dyert e Gjykatës së Korçës vetëm dy muaj pas rrëzimit të kërkesës për lirim me kusht nga burgu.
Zani Çaushi po pretendon se juristët i kanë ngatërruar vitet e qëndrimit në burg dhe kërkon një përllogaritje të tyre.
Sipas pretendimit të tij, nuk i është llogaritur koha e paraburgimit në vitet 98-99. Po ashtu edhe sipas avokatit të tij, Arben Lena, llogaritja e kohës së paraburgimit është bërë gabim.
Lena thotë se ka pasur gabime në llogaritje në të gjitha kohët e paraburgimit të tij dhe në veçanti të viteve 98-99, kohë kur Zani Çaushi është liruar për 1 muaj dhe është riarrestuar prapë.
Kush është Zani Çaushi?
Myrteza Çaushi, i njohur si kapobanda i lagjes Çole në Vlorë, i arrestuar dhe i dënuar për një sërë ngjarjesh të rënda kriminale të viteve ’97 kur në Vlorë sundonte anarkia. Gjatë kohës kur vuante dënimin në burgun e Burrelit, ai u martua me Arjana Panxhën, dhe u bë babai i një djali.
Zani Caushi do të mbahet mend si personi që mori në mbrojtje ish-kryeministri italian Romano Prodi gjatë vizitës së tij në Shqipëri.
Gjatë vitit 1997, Caushi ishte i dënuar në një burg të sigurisë së lartë në Greqi, nga ku u arratis ku ishte i dënuar nga drejtësia e Greqisë me 101 vjet burg për vrasje.
Në Vlorë gjatë trazirave të vitit 1997, u formuan 5 banda, 3 prej tyre ishin rivale me atë të Zanit: Banda e Gaxhait, Banda e Kakamit dhe Banda e Pusit të Mezinit.